Presidentja Vjosa Osmani dekoron Kombëtaren e Kosovës me Medaljen Presidenciale të Meritave
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar Kombëtaren e Kosovës në futboll me Medaljen Presidenciale të Meritave, në një ceremoni të mbajtur një ditë pas ndeshjes së “play-off”-it kundër Turqisë (0:1), njofton FFK.
Në fjalën e saj, presidentja Osmani theksoi se, pavarësisht rezultatit në këtë përballje, Kombëtarja mbetet një nga përfaqësimet më dinjitoze të shtetit në arenën ndërkombëtare.
“… Kontributi juaj është pjesë e pandashme e historisë sonë sportive dhe, mbi të gjitha, frymëzim i fuqishëm për brezat që vijnë. Në bazë të kompetencave të mia kushtetuese si Presidente e Republikës së Kosovës, kam vendosur që Kombëtaren e Republikës në Futboll ta dekoroj me Medaljen Presidenciale të Meritave, me motivacionin: Për përfaqësim dinjitoz të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare; Për krenarinë që i kanë dhënë shtetit tonë; Si dhe për arritjen në fazën finale të kualifikimeve për Kampionatin Botëror…”, ka thënë presidentja Osmani.
Në emër të komunitetit të futbollit, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, shprehu mirënjohjen për këtë vlerësim, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes institucionale për zhvillimin e futbollit në vend.
“Kjo është medalja më e çmuar, medalja e shtetit tonë, medalja e popullit tonë. Ne vërtetë nuk shkuam në Kupën Botërore, por fituam një medalje e shtetit tonë, zemrat e shtetit tonë, e cila është për neve shumë e rëndësishme sepse ne jemi të këtij shteti. Ne si federatë dhe si futbollistë jemi shumë të lumtur që kemi pasur një bashkëpunim kaq të mirë dhe kaq të afërt me presidenten tonë, e cila na ka ndihmuar gjithmonë, me dekretet për futbollistët dhe me prezencën e saj çdo herë, edhe kur kemi qenë mirë, edhe kur kemi qenë keq…”, ka thënë Ademi.
Ndërkaq, në emër të Kombëtares së Kosovës, kapiteni Vedat Muriqi u shpreh krenar për përfaqësimin e vendit dhe optimist për të ardhmen e ekipit.
“… Në emër të ekipit, ju falënderoj nga zemra juve si Presidente, shtetin e Kosovës, popullin tonë, mediat dhe federatën. Ne kemi treguar se nëse e vazhdojmë rrugëtimin bashkë, mund ta kalojmë çdo betejë. Kështu që, po shpresojmë në të ardhmen sepse kemi një gjeneratë shumë të mirë, një gjeneratë e artë po vjen, akoma nuk e kemi arritur gjeneratën e artë. …”, tha Muriqi.
Shkrimi i plotë në linkun e mëposhtëm të FFK-së.
Presidentja Vjosa Osmani dekoron Kombëtaren me Medaljen Presidenciale të Meritave
