Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u ka dhënë ultimatum liderëve të partive politike që të arrijnë një marrëveshje për dalje nga kriza politike.
Presidentja Jahjaga vlerëson se kjo gjendje amullie nuk mund të zgjasë pafundësisht dhe është koha e fundit kur liderët e partive politike duhet të reflektojnë.Këshilltari për media i presidentes, Arbër Vllahiu, në një prononcim për gazetën, ka thënë se është koha e fundit që liderët politikë të shohin përtej interesave të tyre.
Sipas tij, procesi i stërzgjatur i ndërtimit të institucioneve po vazhdon ta pengojë funksionimin e shtetit dhe ka pamundësuar konsolidimin ndërkombëtar të tij.
“Procesi i stërzgjatur i ndërtimit të institucioneve po vazhdon ta pengojë funksionimin e shtetit dhe ka pamundësuar konsolidimin ndërkombëtar të tij. Është koha e fundit që liderët politikë të shohin përtej interesave të tyre dhe të tejkalojnë çdo pengesë për të ndërtuar institucione të qëndrueshme dhe përfshirëse, bazuar në kuadrin kushtetues dhe në parimet e përcaktuara që të respektojnë rendin kushtetutës të vendit dhe obligimet ndërkombëtare të tij”, ka thënë Vllahiu.
Presidentja, sipas tij, vazhdon të kërkojë nga liderët politikë që ta kuptojnë seriozitetin e situatës dhe të reflektojnë duke i ofruar njëri-tjetrit mundësinë e dialogimit e përmes kompromisit për qytetarët e Kosovës, ta nxjerrin vendin nga kjo gjendje amullie./Tribuna/