Presidentja Shiroka Pula: Në arkitekturën tonë të sigurisë, KFOR-i vazhdon të ketë një rëndësi të veçantë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it.
Në fjalën e saj, të mbajtur me këtë rast Presidentja Shiroka Pula, ka thënë se është kënaqësi të jem sot me ju në këtë moment të rëndësishëm të ndërrimit të komandës së KFOR-it, një mision, i cili prej më shumë se 27 vitesh ka rol të veçantë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.
“Historia e Kosovës është, në një pjesë të rëndësishme të saj, histori e partneritetit me aleatët tanë. Që nga viti 1999, KFOR-i ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi, ndërsa sot, teksa institucionet tona të sigurisë po zhvillojnë kapacitetet dhe përgjegjësitë e tyre, ky partneritet mbetet i rëndësishëm për stabilitetin e vendit dhe për perspektivën tonë euroatlantike”, është shprehur Presidentja Shiroka Pula.
Ajo më tej ka thënë se përgjatë viteve, me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, kemi ndërtuar dhe fuqizuar institucionet tona të sigurisë, të cilat sot mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për reagimin ndaj sfidave të sigurisë dhe për mbrojtjen e qytetarëve.
Sipas saj, ky zhvillim dëshmon se partneriteti ynë ka prodhuar rezultate konkrete.
“Institucionet e Kosovës kanë avancuar në profesionalizëm, kapacitete dhe përgjegjësi, duke ruajtur njëkohësisht bashkëpunimin e ngushtë me KFOR-in dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Në arkitekturën tonë të sigurisë, KFOR-i vazhdon të ketë një rëndësi të veçantë. Prania e tij, mandati dhe bashkëpunimi me institucionet vendore kontribuojnë në sigurinë e përgjithshme dhe në besimin e qytetarëve”, ka theksuar Presidentja Shiroka Pula.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka shprehur mirënjohjen më të thellë për të gjithë ushtarakët dhe pjesëtarët e shteteve kontribuuese që kanë shërbyer në kuadër të KFOR-it që nga viti 1999, duke shtuar se shumë prej tyre kanë kaluar periudha të gjata larg familjeve të tyre, duke shërbyer në Kosovë me përkushtim dhe përgjegjësi.
Ajo tha se kontributi i tyre është pjesë e historisë sonë të përbashkët dhe do të mbetet i vlerësuar nga qytetarët e Kosovës.
“Synimi ynë strategjik për anëtarësim në NATO mbetet i qartë. Ne synojmë që, një ditë, Kosova të mos jetë vetëm përfituese e sigurisë, por edhe kontribuuese e drejtpërdrejtë në të. Të qëndrojmë përkrah aleatëve tanë, duke marrë pjesë në përpjekjet e përbashkëta për paqe dhe siguri, përfshirë misionet ndërkombëtare, në përputhje me statusin dhe detyrimet tona si anëtare e NATO-s në të ardhmen”, ka pohuar Presidentja Shiroka Pula.
Ajo më tej tha se ndërrimi i komandës është një mundësi për të riafirmuar vazhdimësinë e partneritetit tonë.
“Gjeneralmajor Ulutaş, ju falënderoj edhe një herë për shërbimin dhe bashkëpunimin tuaj! Gjeneralmajor Vergori, ju uroj suksese në detyrën e re dhe ju siguroj për gatishmërinë tonë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me ju dhe me të gjithë pjesëtarët e KFOR-it!”, ka theksuar presidentja Shiroka Pula.
Në fund, Presidentja Shiroka Pula ka falënderuar KFOR-in, për shërbimin dhe për kontributin që japin çdo ditë për paqen dhe sigurinë në Kosovë. /2LONLINE/
