Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, as sivjet për Vit të Ri, nuk do ta falë apo t’ia zbresë vitet e vuajtjes së dënimit ndonjë të burgosuri. Jahjaga nuk e ka shfrytëzuar as sivjet mandatin e saj në pajtim me nenin 86 të Kushtetutës së Kosovës i cili jep të drejtë të shpallë falje individuale në pajtim me ligjin.
Por këtë të drejtë ajo do ta bëjë në përvjetorin e gjashtë të Pavarësisë së Kosovës, siç ka bërë edhe në dy vitet e kaluara.
“Presidentja e Republikës së Kosovës që prej dy vitesh ka vendosur praktikën e faljes në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt. Kjo praktikë do të të zbatohet edhe në vitin 2014, pasi të jenë kryer të gjitha procedurat e parapara edhe me ligj edhe me akte të tjera nënligjore që e rregullojnë institutin e faljes, si një e drejtë ekskluzive e Presidentit të Republikës së Kosovës”, tha Arbër Vllahiu, këshilltar për media i presidentes Jahjaga, shkruan Tribuna.
Si duket edhe të burgosurit tash janë mësuar me këtë traditë të Presidentes. Shemsi Hajrizi, ushtrues detyre i drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës thotë se nuk kanë kërkuar që të përpilojnë ndonjë listë për këtë qëllim pasi Presidentja Jahjaga nuk ka shpallur ndonjë dekret për falje.