Presidentja Osmani zhvilloi takim virtual me ministren britanike për fqinjësi Evropiane dhe Amerikë, Wendy Morton

Presidentja Osmani zhvilloi takim virtual me ministren britanike për fqinjësi Evropiane dhe Amerikë, Wendy Morton

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi takim virtual me Wendy Morton, Ministre për Fqinjësi Evropiane dhe Amerikë në qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, e cila e uroi atë për zgjedhjen si Presidente e Kosovës.

Presidentja Osmani potencoi se Mbretëria e Bashkuar mbetet aleate strategjike e Republikës së Kosovës dhe se do të angazhohet për thellimin e raporteve bilaterale në fushat politike, tregtare, të sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes, si dhe kulturës dhe arsimit.

Presidentja Osmani theksoi se prioritete të institucioneve janë sigurimi i vaksinave kundër COVID-19, krijimi i vendeve të punës dhe sundimi i ligjit.

Presidentja Osmani kërkoi përkrahje nga Mbretëria e Bashkuar në furnizim me vaksina për qytetarët e Kosovës, marrë parasysh se Mbretëria e Bashkuar është shtet lider në vaksinim të popullatës.

Ministrja Morton nënvizoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për aspiratat euro-atlantike të Kosovës dhe shprehu gatishmërinë për intensifikim të raporteve bilaterale.

Më tej, ministrja Morton inkurajoi Kosovën që të jetë pjesë e agjendës globale mjedisore dhe luftimit të ndryshimeve klimatike.

Presidentja Osmani dhe Ministrja Morton diskutuan për dialogun me Serbinë dhe potencuan rëndësinë e përfshirjes së gjitha grupeve politike, përfshirë partitë opozitare, në temat e interesit kombëtar. /2LONLINE.com/

KOMENTE