Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Kreshnik Radoniqi.
Temë qendrore e diskutimit ishte shpallja dhe organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme pas dorëheqjes së zyrtarëve të zgjedhur nga katër komunat në veri të vendit si dhe zëvendësimi i deputetëve të dorëhequr.
Në këtë takim, Presidentja ka theksuar se janë duke u ndërmarrë hapat e nevojshëm për shpalljen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Ajo tha se së shpejti subjektet politike do të ftohen për konsultime përpara se të caktohet data e zgjedhjeve, brenda afatit ligjor.
Presidentja u informua nga z. Radoniqi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve posedon kapacitetet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit. /2LONLINE/