Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministrin e Jashtëm të Turqisë, z.Mevlüt Çavuşoğlu, me të cilin zhvilluan një bisedë përmbajtësore dhe konfirmuam raportet e shkëlqyera ndërshtetërore.
Me ministrin Çavuşoğlu, Presidentja Osmani diskutoi për bashkëpunimin bilateral, në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, tregtisë dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.
Presidentja Osmani dhe ministri Çavuşoğlu, disutuan edhe për zhvillimet aktuale në rajon dhe në Evropë, me ç`rast, Presidentja Osmani potencoi se integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike parandalon ndikimin rus në rajon dhe tendencën për destabilizim.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se anëtarësimi i Kosovës dhe rajonit në strukturat euroatlantike është domosdoshmëri.
“E vlerësoj maksimalisht mbështetjen e qartë të presidentit Erdoğan ndaj anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Mbështetje të tillë nga Turqia na duhet edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka theksuar në takim Presidentja Osmani.
“Marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë strategjike dhe se ky shtet është ndër partnerët tanë kryesor në NATO. Komuniteti turk në Kosovë dhe mërgata e madhe shqiptare në Turqi janë urë e fortë ndërmjet dy shteteve”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve, sipas Presidentes Osmani kanë potencial të thellohen edhe mëtej, posaçërisht në fushën e investimeve, si dhe duke rritur eksportin e Kosovës në Turqi. /2LONLINE/