Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim, deputetin e Parlamentit të Ukrainës dhe njëherësh anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Oleksiy Goncharenko, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.
Në takim me deputetin ukrainas, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova që prej fillimit të agresionit rus është në krah të Ukrainës dhe se e ka mbështetur atë në mënyra të ndryshme, si dhe i ka bashkërenduar veprimet politike me aleatët tanë evropian dhe amerikan.
Presidentja ka potencuar se Kosova prej fillimit të agresionit të Rusisë është në anën e BE-së, ShBA-së dhe vendeve demokratike dhe i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.
Sipas Presidentes Osmani Populli i Ukrainës po kalon një periudhë jashtëzakonisht sfiduese dhe të vështirë duke u përballur me agresion ushtarak dhe krime kundër njerëzim dhe populli i Kosovës e ka përjetuar një luftë të ngjashme.
Presidentja Osmani ka theksuar se populli i Kosovës ka hapur zemrën dhe derën për të strehuarit nga Ukraina. Sipas saj, deri më tash në Kosovë kanë gjetur strehim një grup i gazetarëve të Ukrainës, teksa MAT Kosova po zhvillon trajnimin e grave ukrainase në fushën e deminimit.
Deputeti Goncharenko e njoftoj Presidenten se në Parlamentin e Ukrainës është krijuar grupi i deputetëve “Miqtë e Kosovës”, të cilët do të shërbejnë si platformë për thellimin e bashkëpunimin parlamentar mes dy vendeve. Deputeti Goncharenko shprehu mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe se do të angazhohet në zgjerimin e mbështetjes për Kosovën brenda Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. /2LONLINE/