Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu ka pritur sot me nderimet më të larta shtetërore në vizitë zyrtare Presidentin e Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq.
Presidentja Osmani dhe Presidenti Milanoviq, më pas kanë zhvilluar takim të përbashkët, ndërsa në fund kanë mbajtur konferencë për media. Presidentja Osmani ka thënë se Kroacia është një ndër shtetet që ka qëndruar pranë Kosovës në momentet më të vështira, por edhe sot.
“Për këtë përkrahje jashtëzakonisht të madhe populli i Republikës së Kosovës i është jashtëzakonisht mirënjohës Republikës së Kroacisë, dhe po ashtu e falënderoj edhe vet Presidentin Milanoviq për përkrahjen e tij personale që Kosova të ec përpara si shtet i pavarur, sovran dhe shtet i zhvilluar dhe i barabartë në mesin e kombeve të lira”, ka thënë Presidentja Osmani. E para e vendit, më tej ka shtuar se Republika e Kosovës dhe Republika e Kroacisë kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme.
“Kroacinë vërtetë e konsiderojmë si aleat kyç. Marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve ndërtohen mbi lidhje të forta të miqësisë që ekzistojnë historikisht ndërmjet dy kombeve tona. Miqësia dhe solidariteti natyrisht se daton qysh nga vitet e 90-ta, kur të dy kombet u ekspozuan ndaj luftërave të tmerrshme”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani ka thënë se jemi të lumtur që qytetarët kroat me origjinë shqiptare janë integruar mirë dhe ndjehen qytetarë krenarë të Republikës së Kroacisë, siç jemi krenarë që shumë qytetarë të Republikës së Kosovës kanë kontribuar për shtetin kroat si në ushtri, në ekonomi, në politikë, sport dhe në shumë fusha të tjera.
Ajo, më tej ka thënë se edhe në Kosovë ka prezencë të komunitetit kroat të cilët i konsiderohen pjesë jashtëzakonisht të rëndësishme të shoqërisë sonë dhe si urtë të fortë lidhëse ndërmjet dy shteteve tona.
“Do të bëjmë gjithçka që është brenda kapaciteteve tona për të adresuar nevojat e të gjitha komuniteteve përfshirë komunitetin kroat, në mënyrë që ata të prosperojnë e të ecin përpara në shtetin e tyre, në Republikën e Kosovës” ka pohuar Presidentja.
Presidentja Osmani i ka shprehur mirënjohje shtetit kroat edhe për kontingjentin e vaksinave anticovid dërguar Kosovës në një kohë mjaft të vështirë kur ne nuk kishim vaksina, por po ashtu mirënjohjen e thellë për Kroacinë dhe solidaritetin me Kosovën pas aksidentit tragjik rrugor me udhëtarët nga Kosova në korrik të këtij viti në Sllavonski Brod të Kroacisë.
Sipas Presidentes Osmani, në kontekstin rajonal shteti ynë e ka bërë të qartë që është vizion jo vetëm i përfaqësuesve politik, por i gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që Kosova të anëtarësohet në strukturat euroatlantike. “Natyrisht, që ne asnjëherë nuk kemi shikuar diku tjetër. Prandaj, edhe ndihmën e përkrahjen e Kroacisë në këtë drejtim e vlerësojmë shumë.
Në radhë të parë sepse si shtet i rajonit tonë tashmë është anëtarë i Bashkimit Evropian dhe mund të mësojmë shumë nga eksperienca e këtij shteti, e në radhë të dytë si anëtar i NATO-s e kupton drejtë se sa është e rëndësishme që edhe Kosova të jetë aty ku e ka vendin duke kontribuar në paqen dhe stabilitetin në rajon edhe më tej duke u anëtarësuar në NATO”, ka theksuar Presidentja.
E para e vendit ka thënë se është tejet e rëndësishme që Kosova të vazhdojë ta konsolidojë shtetësinë e saj, dhe në këtë drejtim ka shprehur shpresën që Kroacia do të vazhdojë ta përkrahë Republikën e Kosovës në këtë rrugë të vështirë, por rrugë patjetër të pandalshme, sepse Kosova si shtet i pavarur dhe sovran, dhe i lirë nuk ka kthim mbrapa.
“Pra, në këtë drejtim ne do të vazhdojmë të punojmë edhe në kontekst bilateral me Kroacinë, sepse ka shumë fusha në të cilat mund të arrijmë progres. Deri tani kemi rreth 30 marrëveshje të lidhura ndërmjet dy shteteve, janë edhe disa që janë në proces e sipër të cilat shpresojmë që t’i shtyjmë përpara.
Në veçanti jemi të interesuar që ta shtyjmë përpara bashkëpunimin në fushën e politikës së jashtme, në fushën e mbrojtjes ndërmjet dy ushtrive dhe ndërmjet dy ministrive të mbrojtjes, në fushën e ekonomisë, sepse si dy shtete të cilat kanë lidhje edhe historike ndërmjet njëra-tjetrës ka shumë e shumë hapësirë akoma të pashfrytëzuar për bashkëpunim tregtar e ekonomik si dhe në sfera të tjera të interesit të dyanshëm”, ka thënë Presidentja Osmani.
Sipas saj vizita e Presidentit të Republikës së Kroacisë është hap i rëndësishëm drejt avancimit të raporteve ndërmjet dy shteteve tona dhe ndërmjet popujve tanë. /2LONLINE/