Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka udhëtuar fillimisht në Panama, për vizitë zyrtare në këtë shtet, për të vazhduar pastaj vizitën zyrtare në Kosta Rika.
Gjatë vizitës në Panama, Presidentja Osmani do të pritet në takim nga homologu Laurentino Cortizo Cohen, teksa do të zhvillojë takime edhe me institucione dhe organizata të tjera.
Në këtë vizitë, Presidentja Osmani pritet të marrë pjesë në ceremoninë e zbulimit të shtatores së Nënë Terezës, si dhe në një Forum të përbashkët me ministren e punëve të Jashtme të Panamasë, znj. Erika Mouynes.
Pas vizitës në Panama, Presidentja me ftesë të presidentit të Kosta Rikës, do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të këtij shteti, z. Rodrigo Chaves.
Kosta Rika sipas datës së njohjes, është ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa vizita e Presidentes Osmani është e para e një lideri të Kosovës në këtë shtet.
Në kuadër të kësaj vizite, Presidentja Osmani pritet të ketë edhe takime të tjera. /2LONLINE/