Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë pjesëmarrjes në samitin inaugurues të Komunitetit Politik Evropian në Pragë, ka takuar kryeministren e Islandës, Katrin Jakobsdottir, me të cilën ka diskutuar për marrëdhëniet bilaterale, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, përfshirjen në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, si dhe forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë bazuar në vlera të përbashkëta.
Presidentja ka falënderuar kryeministren Jakobsdottir për mbështetjen që Islanda i ka dhënë Kosovës, në veçanti në funksion të konsolidimit ndërkombëtarë. Presidentja Osmani kërkoi vazhdimin e mbështetjes islandeze edhe sa i përket anëtarësimit në Këshill të Evropës, si dhe organizata të tjera ndërkombëtare, duke qene se nga nëntori Islanda e merr kryesimin e Këshillit të Evropës.
Në këtë drejtim, Presidentja Osmani theksoi se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është domosdoshmëri për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të Kosovës pa dallim përkatësie.
Presidentja Osmani dhe kryeministrja Jakobsdottir kanë folur edhe për rrugën euroatlantike të Kosovës, përkushtimin e institucioneve të vendit për të vazhduar punën në reforma të rëndësishme në të gjitha fushat, si dhe nevojën urgjente të përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. /2LONLINE/