Presidentja e vendit Atifete Jahjaga, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK), Haki Demolli, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe Komandanti i KFOR-it, gjeneral major Francesco Paolo FIGLIUOLO vizituan sot operacionet përfundimtare të Ushtrimit fushor ,,Shqiponja 4’’ të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Jezerc të Ferizajt.
Me këtë rast e para e vendit dhe njëherësh Komandantja e përgjithshme, zonja Jahjaga pasi pa nga afër demonstrimet e Njësive të specializuar dhe pjesëtarëve në vend incidente u shpreh tejet e lumtur mbi të arriturat profesionale të njësive dhe pjesëtarëve gjatë zhvillimit të operacioneve, me motivimin , disiplinën dhe përkushtimin për të realizuar detyrat sipas skenarit të paraparë për ushtrim.
Presidentja Jahjaga e uroj ministrin Haki Demolli e gjithashtu edhe Komandantin e FSK-së, gjeneral Ramën për profesionalizmin e treguar me këtë ushtrim me të cilin janë provuar dhe demonstruar shkathtësitë reaguese të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për të qenë e gatshme për intervenim kurdo që kërkohet në situata reale. Në fund presidentja e vendit tha se ky përkushtim i këtyre djemve dhe vajzave, ky seriozitet dhe ky përparim është treguesi më i mirë që FSK-ja është e gatshme për tu transformuar në Forca të Armatosura të Kosovës, më të cilin do të kompletohej infrastruktura e sigurisë në vend.
Pas vizitës që Ministri Haki Demolli u bëri katër vend incidenteve gjatë operacioneve të ushtrimit ,, Shqiponja 4’’, u shpreh i lumtur për realizimin me sukses të ushtrimit më të madh vjetor të FSK-së, si dhe përgëzoj gjeneral Rrahman Ramën për suksesin e FSK-së të treguar gjatë pesë ditëve të operacionit. Gjithashtu, Ministri falënderoj edhe këshilltarët ndërkombëtarë në kuadër të Ekipit Ndërlidhës Këshillues të NATO-s(NLAT). Në fund Ministri Demolli tha se MFSK-ja dhe FSK-ja janë duke vepruar aktualisht në kuadër të misionit, ndërsa procesi i transformimit tha Ai do të jetë plotësisht transparent dhe do të bëhet në koordinim me partnerët tanë strategjik, si ShBA-të, Bashkimi Evropian dhe NATO.
Nga ana e tij, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama u shpreh tejet i lumtur me demonstrimet gjatë ushtrimit të sotëm. Më tej Komandant Rama tha se ,,Ne kemi arrit synimin dhe qëllimin tonë e gjithashtu pas analizës dhe nxjerrjes së mësimeve të mësuara do ti masim rezultatet, por në bazë të kësaj çka ne të gjithë pamë sot, unë jam i kënaqur që jam komandanti kësaj Force.
Skenari i ushtrimit ishte reagimi i FSK-së në ndihmë autoriteteve lokale pas një tërmeti në rajonin e Ferizajt dhe kërcimet që dalin nga tërmeti si: fatkeqësi natyrore, dëmtim të infrastrukturës, lëvizje të popullatës dhe daljen në skenë të organizatave kriminale si pasojë. Për këtë qëllim FSK-ja angazhoj njësitë e specializuara të Mbrojtjes Kimike Atomike Biologjike, të Deminimit dhe Eleminimit të Mjeteve të Pashpërthyera, Njësinë e mjekësisë, Kërkim shpëtimin urban si dhe Brigadën për Reagim të Shpejtë.
Objektiv i Ushtrimit fushor ,, Shqiponja 4’’ ishte trajnimi i liderëve dhe njësive për Detyrat Kolektive, me qëllim të realizimit të operacioneve komplekse në mbështetje të autoriteteve civile në fazën e Planifikimit, Ekzekutimit si dhe atë të Analizimit.
Gjithashtu objektiv tjetër ishte edhe që të mbahet niveli i gatishmërisë operacionale dhe të zhvillohen aftësitë ekzistuese, përmirësimi i koordinimit me institucionet e tjera të sigurisë në operacion, dislokimi i forcave nga vendbazimi i përhershëm në zonën e operacionit dhe Implementimi i sistemit të Mësimeve të Mësuara.
Aktivitetet e ushtrimit i vizituan edhe ambasadorët e ShBA-ve, Shqipërisë, Turqisë, pastaj atashetë ushtarak të vendeve partnere, gjithashtu edhe kryetarët e komunave Ferizaj dhe Suharekë si dhe oficerë nga Policia e Kosovës dhe peronalitete vendore dhe nderkombëtarë.
Në Ushtrimi fushor ,, Shqiponja 4’’ të Forcë së Sigurisë së Kosovës i cili u zhvillua nga data 11 deri më 16 tetor 2015, në lokacionin e jezercit , komuna e Ferizajt, ishin të angazhuar rreth 400 trupa me rreth 65 automjete.