Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u takua në Londër me sekretarin e jashtëm britanik, Philip Hammond, me të cilin bisedoi për sfidat e vendit në fushën e sundimit të ligjit dhe të rendit, përballjen me kërcënimet ekstremiste, rrugën evropiane të Kosovës dhe zhvillimin ekonomik të saj, përmes tërheqjes së investitorëve të huaj.E enjte, 16 korrik 2015
Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit me Britaninë e Madhe, që e ka ndihmuar Kosovën në procesin e ndërtimit të paqes dhe të shtetësisë së saj. Ajo tha se Kosova është e përkushtuar që të ndërtojë një shoqëri demokratike e gjithëpërfshirëse dhe të luajë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit. Ajo tha se sundimi i ligjit dhe rendit dhe ndërtimi i një shtetit të së drejtës janë përparësi të shoqërisë në vend.
Presidentja Jahjaga tha se qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj besojnë në parimin e drejtësisë për të gjithë dhe se shpreson se institucionet e vendit do të gjejnë së shpejti mundësinë për të përmbushur obligimet ndërkombëtare duke votuar për krijimin e Gjykatës Speciale, që do të adresojë akuzat e ngritura nga raporti i Këshillit të Evropës, duke shmangur një hap që do të mund të ndërmerrej nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Duke folur për procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e vendit janë të përkushtuara për dialogun por ritheksojnë rëndësinë e zbatimit të plotë të gjitha marrëveshjeve të arritura dhe kushtëzimit të rrugës evropiane të Serbisë me zbatimin e tyre. Ajo tha se Serbia po vazhdon të mbështesë strukturat ilegale të sigurisë në Kosovë, të cilat sipas marrëveshjeve do të duhej të shpërbëheshin.
Ajo tha se në procesin e dialogut duhet pasur kujdes që të mos lejohet ndarja ne vija etnike, që të mos krijohet një pushtet i tretë në vend ose një shtrirje e institucioneve të Serbisë në Kosovë. Ajo tha se dialogu duhet të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve dhe të relaksojë marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, që do të lehtësojë edhe jetën e qytetarëve por do të hap rrugën edhe të integrimeve evropiane për të dyja vendet.
Presidentja Jahjaga theksoi se rruga evropiane e Kosovës, sikundër edhe i gjithë rajonit të Ballkanit, duhet të jetë e qartë dhe e sigurt, për të mos lejuar ndikime të tjera të jashtme dhe theksoi se Kosova duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë dhe njëlloj me shtetet e tjera të Ballkanit në procesin e integrimeve evropiane.
Sekretari i jashtëm britanik, zotëri Philip Hammond, shprehu mbështetjen e qeverisë së Britanisë së Madhe për Kosovën, në ndërtimin e një shteti demokratik e gjithëpërfshirës dhe një shteti të së drejtës, me përkushtimin për sundimin e ligjit dhe të rendit dhe në luftën kundër korrupsionit. Ai tha Kosova duhet të bëjë çmos për të përmbushur obligimet e saj ndërkombëtare dhe të themelojë Gjykatën Speciale, për të shmangur proceset në organizata të tjera ndërkombëtare. Sekretari Hammond tha se Britania e Madhe mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe gjithashtu edhe proceset integruese në BE të gjithë rajonit të Ballkanit.