Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur sot në takim ish-Presidenten e Finlandës, zonjën Tarja Halonen, me të cilën zhvilloi një bisedë të përzemërt dhe të gjatë.E martë, 08 shtator 2015
Presidentja Jahjaga dhe Presidentja Halonen biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë, perspektivën evropiane të saj dhe të rajonit, për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, çështje të të drejtave të njeriut me theks të posaçëm në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Presidentja Jahjaga vlerësoi partneritetin dhe marrëdhëniet shumë të mira që Kosova ka me Finlandën duke theksuar Kosova është një rrëfim i përbashkët i suksesit të popullit të Kosovës, institucioneve të saj dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Presidentja Jahjaga tha se Kosova është sot një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe promovuese e fqinjësisë së mirë. Presidentja Jahjaga tha se Kosova po bëhet një partnere e rëndësishme në fushën e sigurisë dhe po e konsolidon praninë dhe subjektivitetin e saj ndërkombëtare.
Presidentja Jahjaga dhe ish-Presidentja e Finlandës, zonja Tarja Halonen biseduan edhe për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Me këtë rast Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura dhe angazhimin e mëtutjeshëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
Të dy bashkëbisedueset folën edhe për çështjen e mbi 1600 personave të zhdukur dhe nevojën e zgjidhjes së shpejtë të këtij problemi për të mundësuar qetësinë shpirtërore të familjeve dhe paqen. Ato biseduan edhe për çështjen e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës dhe ndihmën që duhet ofruar për riintegrimin e tyre në shoqëri.
Ish-Presidentja e Finlandës, zonjën Tarja Halonen vlerësoi të arriturat në Kosovë dhe theksoi se Finlanda është njëri ndër vendet mike që do të mbështesin stabilitetin, rendin dhe ligjin si dhe perspektiven evropiane të Kosovës.