DYLON

Presidentja Jahjaga, ka vendosur që t’i thërras në takim liderët politik

Avatar photo Redaksia

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ka vendosur që t’i thërras në takim liderët politik të vendit, për t’u konsultuar rreth zgjidhjes së krizës. Ajo këtë vendim e ka marrë pas takimeve që ka zhvilluar me kryeministrin Isa Mustafa dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli.

Ja deklarata e plotë:

EkoHigjiena

Deklaratë e Presidentes së Republikës së Kosovës

Pas konsultimeve me krerët e institucioneve, me Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit për t’i njoftuar me vendimin tim, ftoj për dialog politik partitë politike parlamentare në përpjekje për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend.

Veprimet e dhunshme dhe diskursi si në institucione dhe jashtë tyre të ditëve të fundit janë të papranueshme dhe rrezikojnë të lëndojnë konsensusin demokratik në Republikën e Kosovës.

Mandati im si Presidente e vendit është të garantoj funksionimin demokratik të institucioneve dhe të shërbej si faktor uniteti, dhe mbi këtë bazë e ftoj spektrin politik parlamentar të Kosovës që të pranojnë këtë ftesë për dialog për mospajtimet në këto javët e fundit.

Tashmë ftesat subjekteve politike si të koalicionit qeveritar ashtu edhe partive opozitare u janë dërguar, fillimisht për takime të ndara në zyrën time, dhe përfundimisht – në mirëbesim – në tryezë të përbashkët.

Shpresoj që kjo iniciative e imja të ndihmojë që shqetësimet t’i adresojmë me pjekuri politike dhe duke dëshmuar angazhimin tonë që të jetësojmë përkushtimin tonë për një demokraci parlamentare që fuqizon institucionet, forcon besimin e qytetarëve në perspektiven e vendit të tyre dhe krijon pajtimin bazik për rrugën tonë përpara.

I thërras partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre t’i përgjigjen ftesës dhe të tregojnë vullnet që bashkërisht të gjejmë gjuhë të përbashkët për daljen nga kjo gjendje.

Tash më shumë se kurrë është momenti t’ua dëshmojmë të gjithë qytetarëve që na e kanë besuar udhëheqjen e këtij shteti se dëshira e tyre për të jetuar në paqe, të kenë një ardhmëri të sigurt për ta e për brezat e ardhshëm nuk është premtim që zbehet përballë sfidës së parë, por udhërrëfyes, obligim, besë e dhënë se dallimet tona, të çfarëdo natyre, i tejkalojmë në tryezë, duke biseduar, duke gjetur zgjidhje bashkërisht dhe duke marrë përgjegjësi për to.