Komandantja supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Presidentja Atifete Jahjaga zhvilloi një vizitë përshëndetëse në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku u prit nga Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe ministri i Forcës së Sigurisë, Haki Demolli.
Presidentja Jahjaga e përgëzoi gjenerallejtënant Ramën dhe ministrin Demolli për komandimin dhe menaxhimin me sukses të FSK-së dhe Ministrisë. Ajo tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është institucioni i cili ka arritur që edhe në nivel të rajonit dhe më gjerë ta prezantojë me shumë sukses vendin tonë.
Komandantja Supreme e FSK-së, Presidentja Jahjaga, gjatë takimit në FSK, tha se Republika e Kosovës është duke ndërtuar një Forcë gjithëpërfshirëse dhe synimi ynë është që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s. Presidentja Jahjaga falënderoi gjenerallejtënant Ramën dhe të gjithë oficerët, nënoficerët dhe ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për shërbimin ndaj vendit, duke thënë se FSK-ja është krenaria e Kosovës dhe institucioni më i besueshëm në vend nga të gjithë qytetarët.
Gjenerallejtënant Rrahman Rama e falënderoi Presidenten Jahjaga për bashkëpunimin, koordinimin dhe angazhimin e saj për ngritjen profesionale të FSK-së në përputhje me standardet e NATO-s, gjatë mandatit të saj si Komandante Supreme e kësaj Force.
Pas takimit, Presidentja Jahjaga në një koktej rasti takoi dhe bisedoi personalisht me shumë prej kadetëve, ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve të FSK-së.
Me këtë rast ajo tha: “Dua t’ju përgëzoj gjithsecilin prej jush, por edhe paraardhësit tuaj për punën e palodhshme që keni treguar këto vite me radhë në ngritjen, avancimin dhe profesionalizimin e FSK-së. Të gjithë ne jemi krenarë me Forcën e Sigurisë që sot është në rrugën e saj të duhur të transformimit të mëtutjeshëm në Forcat e Armatosura të Kosovës. Synimi dhe vizioni ynë është i qartë, Kosova do të jetë vend anëtar i NATO-s.”