Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, ka dërguar një mesazh urimi për komunitetin rom në Kosovë. Në urimin e tij, presidenti Thaçi ka thënë se kjo ditë e rëndësishme për komunitetin rom duhet të shërbejë edhe si inkurajim për rritjen e përkrahjes për realizimin e të gjitha të drejtave qytetare të këtij komuniteti, duke rritur njëherësh edhe më shumë përfshirjen e tyre sociale dhe qasjen në arsim, shëndetësi dhe shërbime të tjera publike.
Ky është urimi i Presidentit të republikës së Kosovës për Ditën Ndërkombëtare të Romëve:
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve i uroj të gjithë pjesëtarët e komunitetit rom në Kosovë, duke iu dëshiruar që ta kalojnë sa më gëzueshëm këtë ditë me të afërmit e tyre. Me identitetin, kulturën dhe traditat tuaja, ju e pasuroni shumëllojshmërinë e shoqërisë kosovare dhe jeni pjesë e qenësishme e vendit tonë. Shpreh mirënjohjen time për përkrahjen që keni dhënë në procesin e deritashëm të shtet-ndërtimit dhe kërkoj nga ju që të vazhdoni të kontribuoni për zhvillimin dhe përparimin e shtetit tonë të përbashkët.
Kjo ditë e rëndësishme për komunitetin rom duhet të shërbejë për të gjithë si inkurajim për rritjen e përkrahjes dhe për realizimin e të gjitha të drejtave si qytetarë të Republikës së Kosovës, duke rritur njëherësh edhe më shumë përfshirjen tuaj sociale dhe qasjen në arsim, shëndetësi dhe shërbime të tjera publike.
Si President i Republikës së Kosovës do të angazhohem që të rrisë edhe më shumë unitetin, bashkëpunimin dhe harmoninë në shoqërinë tonë.