DYLON

Presidenti Thaçi në Slloveni: Kosova kthen vëmendjen nga konsolidimi ekonomik

Avatar photo Redaksia

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e parë të vizitës së tij zyrtare në Republikën e Sllovenisë, është pritur nga homologu i tij, Borut Pahor, me ç’rast është shprehur se Kosova, pas konsolidimit në planit politik, tani ka kthyer vëmendjen nga zhvillimi ekonomik.

“Është kënaqësi që vizitën time të parë bilaterale, si president i Republikës së Kosovës, po e bëj në Slloveni. Është veçanërisht kënaqësi që jam këtu pak para se të shënoni 25-vjetorin e pavarësisë së Sllovenisë. Më lejoni që t’ju uroj të gjithëve, qytetarëve të Sllovenisë, presidentit të Sllovenisë, Qeverisë dhe Parlamentit me rastin e shënimit të kësaj date të rëndësishme për shtetin slloven”, ka thënë presidenti Thaçi gjatë takimit me presidentin slloven, Borut Pahor.

EkoHigjiena

I pari i vendit theksoi se Sllovenia ka qenë dhe do të jetë gjithmonë përkrahëse dhe mike e Kosovës dhe se dy shtetet gëzojnë marrëdhënie shembullore bilaterale, gjë të cilën, tha ai, e dëshmon nënshkrimi i njëmbëdhjetë marrëveshjeve për bashkëpunim politik, ekonomik dhe kulturor.

“Sllovenia është investitorja e dytë më e madhe në Kosovë. E falënderoj presidentin Pahor dhe Qeverinë e Sllovenisë për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, edhe tani kur mbetemi të përkushtuar për forcimin e subjektivitetit të shtetit tonë përmes njohjeve të reja dhe anëtarësimit në organizata shumëpalëshe ndërkombëtare”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai tha se Kosova është konsoliduar si shtet, në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm, se pjesa veriore e vendit është integruar, dhe shtoi se vendi po shënon rritje të vazhdueshme ekonomike. Po ashtu, presidenti Thaçi rikujtoi se Qeveria ka përgatitur Ligjin për Investime Strategjike, si dhe veçoi nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, rekomandimin për liberalizim të vizave si dhe marrjen e statusit të kandidatit për fondet e Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), si dëshmi e reformave në ekonomi, politikë dhe në sundimin e ligjit.

Presidenti Thaçi theksoi se vendi është në prag të themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Thaçi theksoi se Kosova mbetet lidere në rajon për sa i përket luftimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, duke thënë se vendi e meriton anëtarësimin në Interpol.

Gjithashtu, presidenti Thaçi tha se Kosova mbetet faktor stabiliteti në rajon, gjersa dialogu me Serbinë ka reflektuar pozitivisht në mbarë Ballkanin Perëndimor.

“E ardhmja e rajonit është në NATO dhe në BE”, ka thënë Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë takimit me homologun e tij slloven, Borut Pahor, në Lubjanë.

Presidenti për drekë pune me kryeministrin e Sllovenisë

Presidenti Thaçi, gjatë vizitës në Slloveni, është pritur për drekë zyrtare nga kryeministri i Sllovenisë, Miro Cerar.

Gjatë pritjes dhe në diskutimet gjatë drekës u bisedua për mundësitë e themelimit të bashkëpunimit ekonomik në mes dy vendeve.

Qeveria e Kosovës ka hartuar Ligjin për Investime Strategjike që do t’u mundësojë investitorëve që të realizojnë më shpejt projektet e tyre.

“Sllovenia është investitorja e dytë më e madhe në Kosovë. Ky besim është ftesë për bizneset e tjera, sllovene por edhe nga e tërë bota, që të vijnë të investojnë në Kosovë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi nënshkruhet në “Librin e Artë të Qytetit të Lubjanës”

Presidentin Thaçi në Lubjanë e ka pritur edhe kryebashkiaku i Lubjanës, Zoran Jankoviq, i cili i tregoi presidentit Thaçi për sukseset e Lubjanës në përmirësimin e jetës së qytetarëve të kryeqytetit.

Presidenti Thaçi u shpreh se sikur që Sllovenia është shembull për rajonin ashtu edhe Lubjana duhet të jetë shembull për Prishtinën. Ai e përgëzoi Lubjanën për marrjen e çmimit nga Komisioni Europian si “Kryeqyteti i Gjelbër”.

Në fund, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u nënshkrua edhe në “Librin e Artë të Qytetit të Lubjanës”.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.