DYLON

Presidenti Thaçi: Arbëreshët model unik i qëndresës, ende e ruajnë identitetin e tyre

Presidenti Thaçi: Arbëreshët model unik i qëndresës, ende e ruajnë identitetin e tyre
Avatar photo Redaksia

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kalabri, mbrëmë ka vizituar edhe disa lokalitete për t’u takuar me komunitetin arbëresh atje.

Gjatë vizitës së tij në Ungro, presidenti Thaçi u prit nga ipeshkvi Donato Olivero dhe bashkë vizituan edhe katedralen e Ungros.

“Vizita juaj e sotme te kjo seli episkopale nderon historinë e popullit besimtar arbëresh, i cili gjashtë shekuj ruajti dhe mbrojti gjuhën arbëreshe, zakonet, traditat dhe ritin bizantin të të parëve tanë”, u shpreh imzot Olivero, duke i uruar mirëseardhje presidentit Thaçi, siç tha ai “në zemrën e Arbërisë sonë shekullore në Kalabri”.

EkoHigjiena

Presidenti në Ungro takoi edhe Kryetarin e Bashkisë, Guiseppino Santoianni, si dhe komunitetin arbëresh.

Para autoriteteve komunale dhe fetare të Ungros, presidenti Thaçi foli për rëndësinë e thellimit të komunikimit dhe bashkëpunimit mes Kalabrisë dhe Kosovës, duke ua garantuar atyre kujdesin e institucioneve të Kosovës për të shënuar përparime në ruajtjen dhe mbrojtjen e identitetit kulturor të arbëreshëve.

Më tej, presidenti Thaçi vizitoi edhe komunitetin arbëresh në Shën Mitër.

Presidenti Thaçi aty u prit nga kryetari i këtij lokaliteti, Salvatore Lamirata, nga Kryetari i Fondacionit Arbëresh, Ferdinando Nociti, nga përfaqësues të Shoqatave Kulturore Arbëreshe dhe nga banorët të cilët kishin organizuar edhe program me muzikë dhe valle tradicionale arbëreshe.

Në teatrin e Shën Mitrit, presidenti Thaçi theksoi se arbëreshët janë model unik i qëndresës së një komuniteti, që me shekuj larg atdheut mëmë ende e ruajnë identitetin e tyre.

“Ju jeni rrënjët tona të mirëfillta, origjinale, gjeneza dhe fillesa jonë. Jeni fija e pashkëputur dhe e mirëfilltë e racës shqiptare. Në Itali, brenda një populli me kulturë të madhe, që njerëzimit ia dha Renesansën, ju e ruajtët, zhvilluat dhe e mbrojtët identitetin. Ju e keni ruajtur gjuhën e të parëve tanë, traditat, besimin, rapsoditë dhe vallet”, u shpreh presidenti Thaçi.

Në shenjë nderimi për ruajtjen e gjuhës, traditës dhe kulturës arbëreshe, me Medalje Presidenciale të Meritave, presidenti Thaçi në Shën Mitër dekoroi edhe profesoreshën Cettina Mazzei, e cila ka kontribuar për zhvillimin e arsimit në gjuhën amtare dhe mbrojtjen e kulturës arbëreshe.

Gjithashtu, për t’i inkurajuar që të veprojnë së bashku me institucionet e komunitetit në rrugën e bashkëveprimit, me po këtë medalje, presidenti dekoroi edhe Bashkimin e Shoqatave Arbëreshe (UNIARB) dhe Federatën e Shoqatave Arbëreshe (FAA).

Presidenti Thaçi theksoi se këto organizata pareshtur kanë mbrojtur interesat dhe trashëgiminë e vyer gjuhësore dhe kulturore të arbëreshëve në Itali.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.