DYLON

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, “Qytetar Nderi” i Gjilanit

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, “Qytetar Nderi” i Gjilanit
Avatar photo Redaksia

Në një seancë solemne të Kuvendit Komunal të Gjilanit, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, është shpallur sot “Qytetar Nderi” i Gjilanit.

Në këtë ngjarje të rëndësishme  morën pjesë, Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Kushtrim Kadriu,  anëtarë të Kuvendit, përfaqësues të institucioneve të ndryshme politike e shoqërore e të tjerë, ku fillimisht përfaqësuesit e subjekteve politike, Gentrit Murseli (LDK), Bujar Nevzati (PDK), Nazim Gagica (AAK) dhe kryetari i Komunës Alban Hyseni (Vetëvendosje), folën për rëndësinë dhe vlerën e madh që e ka ky nder që i bëhet presidentit shqiptar.

EkoHigjiena

“Kënaqësi e jashtëzakonshme të mirëpresim në Gjilan, presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj. Pas një takimi ku diskutuam për projektet e përbashkëta Kosovë-Shqipëri, gjendjen politike në të dyja vendet, patëm nderin e veçantë të dekorojmë Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj, me titullin “Qytetar Nderi” – një mirënjohje për kontributin e tij të çmuar në forcimin e lidhjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë kreu i komunës Alban Hysneni.

Ai falënderoi Presidentin Begaj, për përkushtimin në avancimin e marrëdhënieve vëllazërore dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën.

E, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj shprehu mirënjohje për këtë nderim duke thënë se e pranon me përulësi të jetë “Nderi i Gjilanit”, një qytet i traditës, historisë, sakrificës dhe qëndresës.

 “Sot ky qytet, me sa pashë kur po vija, është i mbushur me jetë, me shpresë dhe me të rinj të gatshëm për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe që e dinë shumë se sa sakrifica u deshën për liri dhe kjo liri nuk është çuar dëm”, ka thënë Presidenti Begaj për t’u zotua se, ashtu siç ka ndodhur përgjatë gjithë historisë, Shqipëria ka qenë pranë Kosovës dhe do të jetë gjithmonë dhe se së bashku duhet ta shohin të ardhmen në një rrugëtim drejt integrimit evropian:

“Ne do të qëndrojmë pranë njëri- tjetrit kurdoherë edhe në kohë paqeje, sepse paqja, që të mbrohet, kërkon diçka edhe më të vështirë: mendje të mençura, vizion të qartë dhe guxim për të ndërtuar një të ardhme, një të ardhme më të begatë për kombin tonë. Sot, kemi një mundësi që shumë breza përpara nesh nuk e kishin ëndërruan dhe nuk e patën. Dy shtete, një komb, një gjuhë, një gjak. Është ADN-ja jonë. Ky është një privilegj shumë i madh, por është edhe një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe”, tha ndër tjerash, Presidenti Begaj.

Përndryshe, Presidenti Begaj para se ta pranonte këtë nderim që iu bë, zhvilli një takim me kryetarin e komunës, kryesuesin e kuvendit, përfaqësues të të gjitha partive politike të përfaqësuara në Asamble, ndërkohë që ai bëri edhe homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan.

Përndryshe, presidenti shqiptar do të qëndrojë në Gjilan, ku nesër Universiteti Publik “Kadri Zeka” do të nderojë me titullin e lartë akademik “Doctor Honoris Causa”.  /2LONLINE/