FC Drita nuk e ka mbyllur edicionin vjeshtor të kampionatit në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi që fillimisht u eleminua nga gara e DigitAlb Kupës së Kosovës dhe më pas pësoi një humbje të thellë ndaj Trepçës ’89 në kuadër të Superligës.
Por, këto rezultate duket se nuk i kanë shqetësuar drejtuesit e klubit që kanë paralajmëruar një pranverë tejet të nxehtë.
Valon Murseli, president i klubit ‘bardhekaltër’ ka reaguar në llogarinë e tij pas disfatës që Drita e pësoi në Mitrovicë, duke kërkuar qetësi nga “Intelektualët”.
“Ne jemi Drita! Kemi mbyllur sezonën vjeshtore, një ecuri që në përgjithësi mund të cilësohet pozitive! Faleminderit shtabit teknik, lojtarëve dhe Intelektualëve! A kemi mundur më mirë, sigurisht që po por, Intelektual rrini të qetë sepse ne e dimë çka duhet dhe nuk do të rrim duarkryq që në pranverë të jemi Drita që të gjithë e dëshirojmë“, ka shkruar Murseli.
Drita e ka mbyllur vjeshtën në pozitën e tretë të renditjes tabelare me 31 pikë, tre më pak se lideri Ballkani dhe një më pak se rivali i përbetuar Gjilani që ndodhet në pozitën e dytë.