Gjilan – (2LONLINE) – Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Komisioni i Arsimit i Degës së LDK-së pat shprehur dilemat se Drejtoria e Arsimit nuk është e përgatitur që ky vit shkollor të ketë një nismë të mbarë. Dhe, s’do mend se nuk mund të ketë pasur nismë të mbarë kur hapësirat shkollore, edhe ashtu në mungesë të madhe për shkollat në qytet, ua falen Universitetit të Gjilanit, që në asnjë mënyrë e as me ligj nuk ka guxuar të ndodhë, thonë drejtues të këtij Komisioni.
Nazmi Musa kryetar i këtij komisioni ka thënë se sot nxënësit e shkollës së mjekësisë sorollaten nëpër objekte të tjera shkollore, dhe lëre që vetë nuk mund të bëjnë asfare mësim e stabilitet të procesit mësimor, po kanë çrregullua në masë të madhe punët në ato objekte, në të cilat me kohë është vu rendi dhe disiplina për një fillim të mirë të vitit shkollor.
“Kjo vërehet në Shkollën e Mesme Teknike “Mehmet Isai”, ku nxënësit e saj, për shkak të kalimit të një pjese të nxënësve të shkollës së mjekësisë, janë të detyruar që mësimin të mbajnë në tri ndërrime. Në vend se të merret shembull drejtori i shkollës teknike dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle për përgatitjen të mbarë e të mirë të këtij viti shkollor, Drejtoria e Arsimit, për shkak të moskryerjes së punëve të veta me kohë, edhe në këtë shkollë kthen ndërrimin e tretë të punës, që tanimë ka vite që kjo shkollë punon në dy ndërrime”, thotë Musa..
Sipas tij, mos kryerja e punëve në objektin e ri të gjimnazit, mungesa e inventarit dhe premtimet boshe për çdo shtator, se ky objekt do të jetë në funksion, po edhe mbetja e nxënësve të shkollës së mjekësisë ”Dr.Asllan Elezi” pa objektin e tyre, ka bërë të pamundshme një fillim të mbarë të këtij viti shkollor.
Moskryerja e punëve në këtë objekt të ri shkollor,sikundër edhe atij të shkollës bujqësore (Agrobiznesit) Komisioni i Arsimit i Degës së LDK-së e sheh si çështje politike. Udhëheqja komunale pret kohën e inaugurimit të objektit të ri të gjimnazit në prag të fushatës zgjedhore dhe nën prezencën e udhëheqjes se saj politike.
Duke synuar, kështu, synimin e përfitimit të votave dhe grabitjen e pushtetit, dëmtojnë interesat e fëmijëve tanë, prindërve dhe çrregullojnë procesin mësimor.
Komisioni i Arsimit i bënë thirrje Komitetit të Arsimit në Kuvendit Komunal dhe inspektorëve të arsimit që në këtë fillim të këtij viti mësimor tua bëjë një inspektim të gjitha shkollave në komunën tonë, Drejtorisë së arsimit dhe të vejnë në dukje shumë parregullsi ,duke filluar që nga shpallja e konkursit për vende të lira të punës në arsim, pranimit të punëtorëve, fshehjes apo ruajtjes së vendeve të punës, përgatitjes së objekteve dhe infrastrukturës shkollor e deri të pajisja e shkollave me inventarë shkollor.
“Arsimi nuk është pronë e asnjë subjekti politik, por është interes kombëtar, andaj edhe duhet të jetë në mënyrë permanente nën përcjelljen e Qeverisë komunale, organeve të Kuvendit, prindërve dhe shoqërisë civile”, ka thënë Musa kryetar i Komisionit në fjalë. /2lonline/