/2L ONLINE. – Lutfi Haziri – Luta, nuk e ka seriozisht kur deklaron se do të ndërhyjë me forcën e ligjit për rrënimin e ndërtimeve pa leje. Ai këtë e bënë pasi po frikësohet nga ligji Kështu mendon Riad Rashiti , anëtar i Kuvendit komunal nga radhët e PDK-së duke iu referuar deklarimeve të kryetarit haziri mbi këtë çështje bërë ditë më parë.
Shih shkrimin: Te ndërtimi i lartë ka motive e elemente politike të bashkëdyzuara me biznes
Për Rashitin, deklarimi i tillë i kryetarit Haziri, jo që është tepër i vonuar por tani po e bënë këtë për ti ikur përgjegjësisë së tij ligjore ndaj hetimeve të nisura nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, për anarkinë në sektorin e ndërtimeve të bëra pa leje dhe në kundërshtim me kriteret dhe kushtet e përcaktuara sipas planifikimit urbanistik të qytetit të Gjilanit.
“Dihet mirë, se deri më tani janë intervistuar në prokurori katër zyrtarë komunal dhe drejtori i urbanizmit nën dyshimin se ka kryer veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare ku dyshohet se ka bërë lëshimin e lejeve të ndërtimit duke mos përfillur asnjë kriter dhe duke bërë anashkalimin e procedurave. Sipas Prokurorisë, pas dhënies së këtyre lejeve të cilat janë bërë në kundërshtim me planet rregulluese të qytetit, pronarët të cilët kanë fituar këto leje kanë filluar ndërtimin e objekteve të tyre”, thotë Rashiti.
Sipas tij, përgjegjës kryesor në krejt këtë kaos urbanistik, nuk është askush tjetër pos Lutfi Haziri si kryetar komune, i cili me vetëdije deri tani për gati dy vite ka heshtur dhe ka lejuar që rreth 100 objekte pa leje të ndërtohen në qytetin e Gjilanit. Por jo vetëm kaq, sepse po ai ka propozuar dhe shuar drejtorinë e inspeksionit, ka larguar dy inspektor të ndërtimit dhe i ka ri-sistemuar nëpër vende të tjera të punës dhe për muaj të tërë komuna e Gjilanit nuk ka pasur asnjë inspektor të ndërtimit.
Sipas Rashitit të PDK-së, pse ka ndodhur kjo kështu, e di më së miri vetë Lutfi Haziri, i cili është përgjegjësi kryesor për lejimin e shumë ndërtimeve pa leje dhe që asnjëherë nuk janë marr masa dhe veprime institucionale nga komuna për të parandaluar këtë kaos urbanistik. Kur dihet se edhe buxheti komunal është dëmtuar për më shumë se 200 mijë euro në vitin 2014, nga mos realizimi i planifikimit buxhetor nga të hyrat nga lejet e ndërtimit.
“Andaj kjo është arsyeja pse tani Lutës i ka dal gjumi për të deklaruar se do të ndërhyjë me forcën e ligjit për të rrënuar ndërtimet pa leje, por kjo është vonë për tu arsyetuar para ligjit. Atë siç duket e ka kapur paniku para ligjit dhe përgjegjësisë që e ka si kryetar komune. Sepse këtë mundësi ai e ka pasur që nga dita e parë kur ka marr detyrën e kryetarit të komunës, por ka mbyllur sytë edhe kur ne si opozitë disa herë në seancat e Kuvendit Komunal kemi ngritur shqetësimin tonë për këtë problematike serioze që ka sot Gjilani”, thotë asamblisti Riad Rashiti.
Sipas tij, Lutfi Haziri asnjëherë nuk ka pasur guxim të veprojë dhe të përballet me problemet serioze apo me projekte të rëndësishme për qytetarin e Gjilanit, por ai ka shumë guxim për të dhënë deklarata bombastike vetëm sa për të qenë pjesë e lajmeve ditore nëpër mediat e Kosovës.
“Të shohim se si do të përballet ai tani me hetimet e nisura ndaj këshilltarëve të tij që i ka vendosur në pozita drejtuese, por që llogaridhënës do të jetë vet ai si kryetar komune, sepse e ka përgjegjësinë kryesore dhe rolin vendimmarrës në ekzekutivin e komunës”, thotë në fund Riad Rashiti, anëtar i Kuvendit komunal të Gjilanit. /2L ONLINE/