DYLON

“Pranvera’81 midis retrospektivës dhe prospektives”në përvjetorin e 34-t të rënies së heroit Kadri Zeka

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan në kuadër të programit “Guest Speaker”, mysafir i radhës ka qenë, veprimtari i çështjes shqiptare z. Hydajet Hyseni. Ai fillimisht është pritur nga rektori i Universitetit, Bajram Kosumi dhe drejtues tjerë të Universitetit, për të vazhduar më pas me ligjëratën me temën: “Pranvera’81 midis retrospektivës dhe prospektives”, mbajtur para intelektualëve gjilanas, studentëve dhe mysafirëve të tjerë. Ky organizim mbahet me rastin e 34 vjetorit të rënies heroike (17 Janar 1982) të Kadri Zekës e që ndërlidhet me manifestimet e “Flakës së Janarit 2016”. Me këtë rast Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Bajram Kosumi i cili ishte protagonist i Lëvizjes Studentore, Pranvera ’81, ka thënë se ajo periudhë ishte shprehje shpërthyese e pakënaqësisë rinore dhe gjithë popullore me gjendjen e përgjithshme të rëndë, të pabarabartë dhe në aspekte të caktuara edhe në keqësim të mëtejshëm të rinisë dhe shqiptarëve si tërësi, në Kosovë dhe në viset e tjera të robëruara shqiptare në ish-Jugosllavi. Pranvera e vitit “81 ishte vazhdimësi e përpjekjeve të mëparshme çlirimtare kombëtare e demokratike, njëkohësisht pararendëse e epopeve të ardhshme që kulmuan me ushtritë tona çlirimtare dhe luftën fitimtare që, pos të tjerash, ia siguroi Kosovës edhe mbështetjen e fuqishme të botës demokratike, liridashëse e paqedashëse dhe Aleancës Veriatlantike si dhe fitoren e historike, ka thënë në fjalën e tij rektori Kosumi. Ndërkaq e ka nderuar me mirënjohje veprimtarin Hydajet Hyseni – Kaloshi, për sakrificën e madhe në lëvizjen për liri.

Ligjëratën e tij veprimtari i çështjes kombëtare shqiptare z. Hydajet Hysenin me temën: “Pranvera’81 midis retrospektivës dhe prospektives”, mbajtur në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan me rastin e 34 vjetorit të rënies heroike (17 Janar 1982) të Kadri Zekës, e ka nisur me thënien: “Historia është mësuese e jetës, “magistrae vitae”. Veprimtari Hyseni ka thënë se mësuesja mund të jetë e mirë dhe do të duhej të ishte e mirë, por jo gjithmonë është e tillë. Mësuese e mirë e jetës mund të jetë vetëm historia e vërtetë, historia e shkruar drejt. Në Ligjëratën e tij veprimtari Hyseni ka thënë se në përvojën tonë historia është shfaqur pikërisht ashtu siç e ka definuar i urti, si një dramë e përjetshme të cilën e luajnë përherë aktorë të rinj. Ai ka thënë se gufimi pranveror i Lëvizjes ’81 mund të shpjegohet dhe të kuptohet vetëm tok me nëntorin pranveror të vitit ’68 dhe dhjetëvjeçarët e frymëzimit të mëparshëm që i paraprinë Pranverës Shqiptare ’81. Veprimtari Hydajet Hyseni, ka shtuar se përvjetori i 35-t i pranverës “81 do të thotë ndryshe 35 vjet mbajtje e ruajtje me mund e gjak e sakrifica të shumta të flakës së pashuar të lirisë. 35 vjet frymëzim, por edhe fryte e të arritura të dukshme e të prekshme që gëzojmë sot gjithandej. 35 vjet reflektim për rrugën e kaluar dhe shtigjet e së ardhmes së gjakuar dhe çuditërisht 35 vjet përballje me një luftë të egër speciale për të shtrembëruar e deformuar të vërtetën e mirënjohur historike për këtë faqe të lavdishme të së kaluarës sonë.

EkoHigjiena

Edhe sot, si 35 vjet më parë, Kosovës dhe çështjes shqiptare gjithandej i duhet sërish mbi të gjitha e para së gjithash bashkimi shpirtëror e veprues i energjive dhe përpjekjeve, qofshin ato edhe të ndryshme sa i përket artikulimit, rrugëve ose mjeteve të realizimit. Vetëm në këtë mënyrë mund të qëndrojmë ballëhapur para dëshmorëve të atdheut. Vetëm në këtë mënyrë mund të bëjmë që përvjetorët e ardhshëm të Pranverës ‘81 të mos na gjejnë me zgjidhje gjysmake, me zhgënjime politike e me sfilitje sociale. Tani 35 pranvera më vonë, arritjet janë të mëdha dhe janë evidente. Por të mëdha dhe evidente janë edhe problemet dhe sfidat, ka thënë mes tjerash në ligjëratën e tij me temën: “Pranvera’81 midis retrospektivës dhe prospektives” veprimtari Hydajet Hyseni. Ndërkohë që pas përfundimit të ligjëratës iu është përgjigjur interesimeve të mysafirëve rreth çështjeve të ndryshme.

Kurse Mehmet Zylfiu, Kryetar i Parlamentit Studentor në Universitetin “Kadri Zeka”, në emër të të rinjve i ka dhuruar veprimtarit Hydajet Hyseni portretin e veprimtarit të shquar të cështjes Kombëtare, Adem Demaçit, të cilën e ka punuar profesori i artit Ahmet Ibrahimi. /2L ONLINE/




Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.