/2L ONLINE/ – Policia e Kosovës ka arrestuar tre të dyshuar, të cilët do të përballen me drejtësinë për vjedhje të ndryshme të kryera në Rajonin e Gjilanit, duke përfshirë edhe vjedhjet në disa kisha ortodokse. Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka thënë se të arrestuarit A. U. (1987) Sh. P. (1988) dhe R. P. (1995), me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë dhe lëndët janë proceduar në Prokurorinë Themelore, për procedurë të mëtejmë.
Deri te arrestimi ityre erdhi pasi fillimisht Policia e Kosovës, njësiti i hetimeve të stacionit policor të Gjilanit, pas një pune mirë të organizuar operative në terren kishin arritur ta identifikojnë të dyshuarin A. U. (1987), i dyshuar për kryerjen e veprës penale “vjedhje e rëndë” ndodhur me datën 24.5.2015.
Pas intervistimit të të dyshuarit janë gjetur prova të qëndrueshme se i njëjti besohet të jetë involvuar në kryerjen e kësaj vepre penale “vjedhje e rëndë”. Po në bazë të dëshmive të qëndrueshme besohet se ai është i përfshirë edhe në disa raste të tjera të vjedhjeve me persona të tjerë.
“Policia e Kosovës njësiti i hetimeve të stacionit policor të Gjilanit, kanë ardhur deri te dëshmitë e qëndrueshme se i dyshimtin A. U. (1987) në bashkëveprim me dy shokët e tij gjegjësisht vëllezërit Sh. P. (1988) dhe R. P. (1995), që të tre shqiptar shtetas të Kosovës, në një lokal besohet se kishin vjedhur një kositëse elektrike të barit si dhe kishin dëmtuar rrethojën e depos duke i shkaktuar ankuesit dëme të konsiderueshme materiale”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Sipas tij, dy të dyshimtit Sh. P. dhe R. P. janë arrestuar nga njësiti i hetimeve e më pas janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës.
“Janë gjetur dëshmi të faktuara se ata së bashku duke vepruar në grup me qëllim të përfitimit material, kanë kryer së paku katër vjedhje të kishave ortodokse në lokacione të ndryshme në fshatrat serbe si në: Hajnovc, Ropotovë e Madhe, Reqan dhe Bozhevc si dhe në fshatin Budrikë e Ulët”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Lidhur me ecurinë e hetimeve me vendim të prokurorit të shtetit është lëshuar vendimin mbi ndalimin për 48 orë dhe lëndët procedohen në Prokjurorinë Themelore për procedurë të mëtejmë. /2L ONLINE/