(2LONLINE) – Imazhi i parë që na krijohet lidhur me prangat është polici. Ky mjet represiv, është i pa shmangshëm në punën policore, krejt kjo pasi që bota në të cilën jetojmë është e këtillë çfarë është, me plot probleme dha pabarazi, prandaj nuk bën pa polic. Modalitetet e përdorimit dhe të tyre varirojnë si në kohë ashtu edhe në hapësirë. Duke qenë se policët shpeshherë thumbohen, edhe lidhur me përdorimin e prangave ka një barsoletë e cila vë në pah përdorimin e prangave nga një polic i entuziazmuar nga kjo shpikje brilante, në një rast krejt të panevojshëm, vetëm për të parë efektin e përdorimit të tyre, që është robëria, apo kufizimi i lirisë.
Kjo çka thamë deri më tani është vetëm prelud. Prangat sociale, për dallim nga prangat policore nuk janë fizike. Përderisa prangat policore janë thjeshtë mjete për të kryer një punë konkrete policore, që megjithatë e ka një justifikim së de jure, prangat sociale janë shprehje e raporteve apo proporcioneve sociale, në të vërtetë disproporcionale, kjo do të thotë të pa barabarta. Shikuar nga aspekti kohorë i veprimit prangat sociale duke qenë se kanë veprim më afatgjatë dhe mbërthejnë një numër më të madh njerëzish, konsideroj se janë edhe më reale se ato policore.
Të kalojmë në çështje. Ishte Karl Marks ai i cili tha një thënie shumë të fuqishme, konsideroj të pa tejkalueshme ende, lidhur me prangat sociale. Ajo në mes tjerash konsistonte ne faktin se për të fituar lirinë e tyre ekonomike… “proletarët nuk kanë çfarë të humbin pos prangat e tyre”! Kjo do të thotë se ky njeri, gjithsesi humanisti më i madh i mendimit social, jo që e kishte kuptuar më së miri pabarazinë e pajustifikueshme sociale, por edhe e kishte shprehur një moment krucial në problematiken sociale. Kjo është pabarazia sociale e cila përpinë një masë të madhe njerëzish, duke i prangosur në një situatë të pashpresë sociale, që Marks i quan proletarë , apo njerëz që nuk kanë asgjë tjetër për të shitur pos punës së tyre fizike.
Zhvillimet e më pastajme në shoqëri nuk e justifikuan në tërësi teorinë e Marksit mbi proletariatin, por gjithsesi e dëshmuan në mënyrë brilante brengën e tij për të varfrit dhe për pabarazinë sociale. Paraqitja e asaj që quhet klasë e mesme, është terreni i cili mundë të interpretohet si në favor por edhe në kundërshtim me teorinë e Marksit. Konsiderohet si diçka që e përmbysë këtë teori në bazë të një kinse mobiliteti vertikal social i cili është i mundshëm në parim, gjithnjë e më pak në praktikë, përderisa mundë të konsiderohet si konfirmim i teorisë së Marksit në bazë të faktit që klasa e mesme nuk ka mjete të prodhimit andaj ajo në fakt është proletariat.
Mendoj se duhet sqaruar dy momente sa i përket relacioneve shoqërore apo strukturës shoqërore. Së pari praktika sociale post-marksiane ka zbuluar defekte si në mendimin social neoliberal, individualist apo konzervativ, por po ashtu edhe në atë egalitarë, socialist, kolektivist (holist) apo progresist . Në kushtet e sotshme të zhvillimit social-politik, kemi ose njërën ose tjetrën nga këto ekstreme si qasje të relacioneve sociale. Qasja liberale dhe neoliberale ka rezultuar me iniciativë, efikasitet dhe superioritet të shfrytëzimit të resurseve të energjisë sociale, por gjithashtu është reflektuar edhe me shkarje të mëdha që ka rezultuar me situata reale ku individi jo pak herë është gjetur në situata aspak humane krahasuar me zhvillimin tekniko teknologjik dhe material.
Nga ana tjetër, qasja praktike kolektiviste apo socialiste me gjithë qëllimin e mirë parimorë egalitarë ku barazia sociale ekonomike është moto, ka rezultuar me mbingarkesë të sistemit shoqërorë, shpenzim jo adekuat të resurseve, mungesë të iniciativës dhe aq më keq edhe keqpërdorim të tyre. Shprehur në gjuhë konkrete, në konceptin neoliberal kush punon fiton dhe ka , por e keqja është se dikush me pak punë fiton shume sepse e ka një pozitë të favorshme sociale, përderisa në sistemet socialiste (egalitariste) shpërndarja e të mirave është më pak a polarizuar por kjo është reflektuar me mbytje të iniciativës, kreativitetit të atyre qelizave sociale të cilët punojnë dhe japin më shumë për shoqërinë, por përfitojnë më pak se sa i japin sistemit, pasi që frytet e punës së tyre shpesh i përfitojnë oportunistët që fshihen pas sistemit, por nuk kanë kreativitet dhe kontribut real. Nga neoliberalizmi dalin në pah prangat sociale të pabarazisë ekonomike individuale, përderisa nga socializmi dalin në pah prangat për vet shoqërinë pra ato të ngrirjes së iniciativës dhe dinamikës sociale.
Fati në fatkeqësi është se shoqëria në Kosovë realisht nuk ka pasur kohë përmbajtësisht vrajë mendjen as për neoliberalizëm e as me socializëm. Kur një shoqëri është e pushtuar, që të dy qasjet teorike i eklipson liria nacionale. Prandaj edhe justifikimi i njërës qasje dhe i tjetrës, sot më së paku mundë të jetë adekuat të prezantohet si i duhur. Djathtizmi, kjo do të thotë qasja kur kompanitë e mëdha (nëse realisht ka të tilla në Kosovë?), i cili krekoset me shkëlqim të rremë që realizohet dhe manifestohet me cenim të të drejtave të punëtorëve duke i detyruar ata të punojnë pos për një pagesë të vogël edhe në orar të stërzgjatur dhe pa asnjë të drejtë e cila do të ngjasonte me dinjitetin dhe të drejtat e njeriut, dhe majtizmi kolektivist apo etatizmi i cili me gjithë justifikimin parimorë ngulfatet nga pesha e vet pasi që krijon superstrukturë të pa përballueshme sociale për bazën ekonomike, ku shembulli i falimentimit të ish Jugosllavisë është rasti mjaft ilustrativ .
Duket se Marksi mbetet i patejkalueshëm ende. Brenga e tij qëndron dhe këtë më së miri e pamë në fytyrat e pashpresa të punëtorëve të sektorit privat në Kosovë, që ishim thellësisht të brengosur dhe ndiheshin aq të lënë pas dore këto ditë kur kërkonin rritjen e pagave të tyre, me gjithë faktin se adresa ku drejtoheshin ishte jo e saktë. Duke mos iu shmangur keqardhjes permenante lidhur me brengën ekzistenciale të atyre punëtorëve të cilët po ballafaqoheshin pikërisht me prangat sociale, që për herë të parë realisht po perceptohen në shoqërinë tonë në Kosovë, konsideroj se duhet që të jemi të sinqertë dhe të përpiqemi të i eliminojmë gabimet ekstremiste, qoftë konzervative apo neoliberale qoftë egalitare apo pseudo progresiviste (por edhe ato ad hok oportuniste) , dhe të mundohemi të krijojmë një shoqëri ku iniciativa individualiste dhe humanizmi i shoqërisë në raport me individin duhet të aplikohen në realitet. Sigurisht se kjo nuk mundë të behet me ide të çmendura për pensione suplementarë të deputetëve e as me dallime ekstreme mes pagës maksimalë dhe asaj mesatare. Shkëlqimi i milionerëve, kudo qofshin ata, pa dyshim se zbehet dhe e humbë kur përreth pallateve gllamoroze të tyre, posaçërisht në shtetet e zhvilluara industriale, frekuentojnë individë të mbërthyer nga prangat sociale, të cilët ndoshta në kushte të një shoqërie me shanse vërtetë të barabarta do të mundë të ishin edhe superiorë ndaj tyre. Në fakt pikërisht pabarazia sociale, edhe vet milionerëve iu ka mundësuar krijimin e një distance të tillë sociale, duke u theksuar posaçërisht në sferën ekonomike. Dhe në rastet kur realisht “ liria politike blihet nga fuqia ekonomike”(K.Popper), atëherë hapësira e lirisë individuale , e me këtë edhe e humanizmit ngushtohet seriozisht. Kjo nuk duhet lejuar të ngjaj. /2lonline/
/Sami HALITI/