Pozitë – opozitë – BE,  si dje si sot, fajtore për ikjen e të rinjve

Pozitë – opozitë – BE, si dje si sot, fajtore për ikjen e të rinjve

Afër 78 mijë qytetarë të Kosovës në pritje për viza në zonën Shengen, ndërsa brenda katër vitesh, 337 mijë e 332 kërkesa për viza, domethënë krejt këta duan me lëshua Kosovën, e disa dhjetëra mijëra kanë hequr dorë nga nënshtetësia.

Shkruan: Ardian Azemi

Ky fakt është alarm për institucionet e vendit, madje do të duhej të ishte alarm tani e 19 vjet pas luftës e 11 vjet pas shpalljes së Kosovës shtet. Zhgënjimi është shumë i madh, aq sa pritjet që ishin të mëdha.

Nuk është Kosova i vetmi vend që qytetarët lëvizin kësisoj, por problem paraqet numri shumë i vogël i popullësisë në proporcion me numrin e ikjeve nga vendi. Brenda 19 vitesh, në një vend me 1 milion e 900 mijë banorë, me dashtë me lëshua vendin afër 350 mijë, dhe afër 100 mijë në pritje për ta lëshuar, kjo është më tepër se trishtim.

Sërbia po zhduket gradualisht, madje mbi dy mijë fshatra të saj kanë mbetur pa shkolla dhe pa ambulanta, për shkak të mungesës së banorëve dhe fëmijëve, sepse lindshmëria ka rënë aq shumë sa që shteti është në gjendje të shoku pa pasur asnjë mundësi për ta rikthyer në gjendje normale. Kosova dallon këtu, sepse rini ka, porse duhet strategji për ta ndalë në vendin e vet, ka nevojë për përspektivë.

Institucionet e Kosovës duhet urgjentisht ta ndalin trendin e tkurrjes së popullësisë, rrjedhimisht, ikjen e trurit. Jemi vendi i parë në renditje që prodhon dije, prodhon rini të arsimuar ndërsa kontributin dhe të ardhmen e tyre e shohin jashtë Kosovës, gjithnjë duke shpresuar për një jetë më ndryshe. Për një jetë më të dinjitetshme.

Është e pafalshme të lejohet që kjo situatë e krijuar të thellohet tutje, sikurse është shumë idiotike ti hedhet faji njërës apo tjetrës qeveri për këtë gjendje. Faji është i të gjithëve, pozitë e opozitë dje, pozitë e opozitë sot. Kosova nuk duhet të hulumtojë fajtorin për këtë situatë, por urgjentisht të bëjë përpjekje për ta shpëtuar atë çfarë ka mbetur për tu shpëtuar.

Nuk arrijë ta kuptoj kujt ka me iu dashtë pushteti pas katër, tetë apo dymbdhjetë vitesh nëse veç nuk ndalet trendi i ikjeve. Sinqerisht, kjo gjendje në të cilën ndodhet vendi, e vë në pikëpyetje të madhe të ardhmën, sepse përveç ikjes së trurit tani, është e paimagjinuar që ndonjëherë edhe nëse Kosova ka me ndryshua gjendjen ekonomike, ka me u kthy me dhënë kontributin në vendin e tij.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE