Pozita: Jemi Komuna e shpallur më transparentja. Opozita: Jeni jo transparentë
(2L ONLINE) – Raporti i punës njëvjeçare i kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ku ai ka prezantuar sukseset dhe sfidat e vitit 2014, është përcjellë nga një debat i gjerë në Kuvendin Komunal. Grupet e këshilltarëve të LDK-së e AAK-së, i kanë dhënë mbështetje të plotë raportit, duke thënë se pasqyron saktë të arriturat e kësaj qeverisje, ndërkaq opozita (PDK e VV), kanë thënë se në raport janë pasqyruar vetëm anët pozitive, por jo edhe të metat, duke kritikuar institucionet komunale edhe për mos transparencë.
Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se nuk qëndrojnë vërejtja për mungesë transparence, duke e rikujtuar opozitën se KDI e ka shpallur këtë Kuvend Komunal të parin në Kosovë për transparencë, ndërkaq ekzekutivin, të dytin. Bunjaku-Rexhepi, po ashtu ka thënë se rregullisht bëhen edhe njoftimet publike për seancat e Kuvendit dhe e ka ftuar opozitën që t`i verifikojë gjerat, para se të bëjë akuza në këtë drejtim.
Avdyl Aliu, shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së, ka thënë se raporti i kryetarit të Komunës për periudhën një vjeçare, është gjithëpërfshirës. Nuk duhet harruar se kjo qeverisje ka trashëguar një komunë me borxhe dhe të pa organizuar mirë në aspektin kadrovik, ka thënë Aliu, duke shtuar se më e rëndësishmja është që puna është bërë në mënyrë transparente.
Bujar Nevzati, i cili ka folur në emër të grupit të këshilltarëve të PDK-së, ka thënë se raporti nuk i përmban dobësitë, të metat dhe sfidat, por është fokusuar vetëm te sukseset. Sikur raporti të ishte vetëm 50 për qind i saktë, ne si grup i këshilltarëve të PDK-së do të ishim të kënaqur, ka thënë Nevzati.
Selami Xhemaili, shef i grupit të këshilltarëve të AAK-së, e ka vlerësuar të mirë raportin e kryetarit të Komunës, duke nënvizuar se edhe drejtoritë që udhëheq ky subjekt, si pjesë e koalicionit qeverisës, e kanë bërë punën e tyre në mënyrën më të mirë.
Kurse Nevzad Isufi, shef i grupit të këshilltarëve të VV-së, ka thënë se pozitive në raport është se borxhi i trashëguar është saktësuar, por sipas tij, e keqja është se këto borxhe janë gati baras me të hyrat vetanake. Ai pati vërejtje te disa projekte, të cilat kanë ngecur, pastaj te punësimi, sikurse edhe te kultura, sporti dhe disa sektorë të tjerë.
Ndërkaq, Bajram Hasani, këshilltar i pavarur, ka thënë se nuk do ta kursejë qeverisjen nga kritikat, por edhe do ta ndihmojë atë me këshilla që të punojë sa më mirë.
Në debatin për raportin e punës së kryetarit të Komunës, kanë marrë pjesë edhe këshilltarët, Sahit Abazi (PDK), Fehmi Sylejmani (VV), Arben Maliqi (LDK), Fatbardha Selmani (PDK), Arben Mehmeti (LDK), Izmi Zeka (PDK), Riad Rashiti (PDK) dhe të tjerë.
Në fund, Kuvendi Komunal e ka miratuar me shumicë votash raportin e punës së kryetarit.
Kuvendi ka miratuar edhe raportin financiar janar-dhjetor 2014, ku mospajtime ndërmjet pozitës dhe opozitës ka pasur më shumë rreth shpenzimeve. Zijadin Maliqi (LDK), njohës i mirë i politikave financiare, ka thënë se në përgjithësi, është menaxhuar mirë me buxhetin Komunës, duke nënvizuar faktin se të hyrat vetanake që janë realizuar gjatë këtij viti, kanë qenë më të lartat që nga paslufta e këndej, kurse tatimi në pronë është realizuar qind për qind.
Te shpenzimet ka reduktime dhe falë kësaj politike të kursimit, është arritur edhe të kryhen punët e planifikuara, edhe të shlyhet një pjesë e borxheve, ka thënë Maliqi.
Nevzad Isufi (VV) tha se vërehet një rritje e shpenzimeve në tremujorin e fundit të vitit kurse Riad Rashiti (PDK), duke mos u pajtuar me këto vlerësime, tha se rritje të të hyrave ka kryesisht te gjobat në trafik dhe gjobat nga gjykata. Sa u përket shpenzimeve, Rashiti ka thënë se reduktime ka te disa kategori, por jo tek të gjitha.
Duke dhënë sqarime në lidhje me disa pyetje të këshilltarëve opozitës, Ilmi Limani, drejtor financiar, ka thënë se shpenzimet janë rritur për shkak të pagesës së borxheve të trashëguara, të cilat pasqyrohen sidomos në tremujorin e fundit. Ndërkohë që tha se raporti për shpenzimet është i saktë qind për qind, por rritja është pasojë e pagesë së borxheve, ai u shpreh i gatshëm për të ofruar çdo faturë veç e veç, për t`u bindur se cila qeverisje ka shpenzuar më shumë.
Kuvendi Komunal ka miratuar edhe vendimin për bartjen e mjeteve financiare nga të hyrat vetanake të pashpenzuara të vitit fiskal 2013 dhe 2014, në vitin fiskal 2015, vendimin për lejimin e transferit dhe harmonizimit të mjeteve financiare brenda sektorit ë arsimit, pastaj orarin e mbledhjeve të Kuvendit dhe Komiteteve për vitin 2015, të cilat janë mbështetur edhe nga opozita.
Po ashtu në këtë seancë është miratuar edhe vendimi për anulimin e pjesshëm të vendimit 01.nr.7840 të datës 14.07.2009 dhe vendimit 01.nr.16-7086 të datës 30.05.2011, që kishte të bënte me shpalljen e interesit të përgjithshëm publik të një prone shoqërore në lagjen “Zabeli i Sahit Agës”, për nevoja të shkollës së Bujqësisë, e cila është ndërtuar në një lokacion tjetër, ndërkohë që këto ngastra janë privatizuar nga AKP-ja.
Kuvendi ka miratuar edhe vendimin për lejimin e ndërtimit të Palestrës së Sporteve në Zhegër, pastaj vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit për ndërrimin e destinimit të hapësirës së një pjese të PDU “Dardania 1”, që e ka arsyetuar Valon Shefkiu, drejtor për Urbanizëm, i cili ka thënë se në bashkëpunim me Komisionin Evropian, në këtë hapësirë do të realizohet një projekt ku përfshihen terrene sportive, fusha tenisi, amfiteatri, çerdhja, gjelbërim si dhe përmbajtje tjera, të cilat janë të nevojshme për banorët e lagjes.
Kuvendi Komunal i Gjilanit i ka rishqyrtuar edhe dy vendime të dhjetorit të vitit të kaluar, sipas rekomandimit të MF-MAPL. Nenin 3 pika 1 të Rregullores për plotësim dhe ndryshim të Rregullores për taksat, ngarkesat dhe gjobat komunale e ka harmonizuar me ligjin, sipas rekomandimit të Komisionit të përbashkët të MF-MAPL, ndërsa sa i përket vendimit 01.Nr.016-9262 për dhënien në shfrytëzim të ngastrës kadastrale P-70403013-00162-8, për nevoja të banimit social, ka vendosur ta rivotojë ashtu siç ishte.
Sadudin Berisha, drejtor i Kadastrës, ka sqaruar se bëhet fjalë për një vendim të miratuar nga përbërja e kaluar e Kuvendit Komunal, për ndarjen e një hapësire prej 15 ari, për nevoja të banimit social, duke thënë se MAPL nuk kishte reaguar atëherë sa i përket ligjshmërisë, ndërkaq reagon tani kur brenda kësaj hapësire, ku tashmë janë ndërtuar 6 objekte, për të njëjtin qëllim, është ndarë parcela e fundit prej 233 metra katrorë.
Në pikën, nën të ndryshme, këshilltarët komunalë kanë ngritur çështje të ndryshme dhe për një pjesë të tyre kanë marrë përgjigje nga kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ndërsa në disa të tjera, do të përgjigjen drejtorët komunalë të sektorëve përkatës. /2L ONLINE/
