Pozherani së shpejti do të bëhet me park

(2L ONLINE) – Në fshatin Pozheran të Vitisë është mbajtur diskutimi publik rreth ndërtimit të parkut dhe zhvendosjes së tregut të gjelbër. Me këtë rast përfaqësuesit të Institucioneve Komunale të Vitisë kanë prezantuar para banorëve të këtij lokaliteti projektin ideor për ndërtimin e parkut e cila do të ndërtohet në një hapësirë mbi 50 ari në afërsi të Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës” në Pozheran.

Shumica e banorëve të këtij lokaliteti janë pajtuar me këtë projekt pasi që kjo ka qenë edhe kërkesë e tyre e cila edhe është ripërsëritur në diskutimin publik për planifikimin e buxhetit komunal që është mbajtur vitin e shkuar në këtë fshat. Ndër tjerash banorët kanë paraqitur edhe propozimet e tyre si : Ndërtimi i një këndi për pensionistët dhe vendosjen e lojërave të rekreacionit për fëmijët.

Zv. Kryetari i Komunës së Vitisë,Hasan Aliu duke folur para banorëve të Pozheranit tha se duke u bazuar në Kërkesën e banorëve të këtij lokaliteti për ndërtimin e parkut të bërë në vitin 2014 gjatë diskutimit publik për planifikimin e buxhetit komunal, komuna ka vendosur që ta marrë parasysh këtë kërkesë.

“Vitin e shkuar kemi diskutuar bashkarisht për planifikimin e buxhetit komunal dhe shpërndarjen e investimeve kapitale e një ndër kërkesat e Pozheranasve ishte ndërtimi i një parku. Komuna e Vitisë e ka shqyrtuar këtë kërkesë dhe sot para jush edhe po bëhet prezantimi i projektit ideor. Natyrisht se kjo tregon se qytetarët e Vitisë kanë të bëjnë me një strukturë të përgjegjshme e cila i merr vendimet e saj duke u këshilluar me banorët e lokaliteteve “ u shpreh zv. Kryetari Aliu.

Ndërkaq Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vitisë, Naim Pira tha se ky diskutim publik po mbahet me qëllimin kryesor që të marrin mendimin e qytetarëve rreth këtij projekti. Ibrahim Rama, Drejtor i Drejtorisë për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim foli rreth projektit në fjalë duke potencuar se në projektin ideor është paraparë që ky park të ndërtohet sipas standardëve më të mira.

Ndërkaq Drejtoresha për Kadastër, Pronë dhe Gjeodezi, Fatbadha Emini e cila ishte edhe e shoqëruar nga ekspertë të cilët e kanë hartuar planin ideor të ndërtimit të parkut potencoi se është paraparë edhe dislokimi i tregut të gjelbër në një lokalitet tjetër. Përndryshe gjatë këtij takimi para banorëve të këtij lokaliteti në mënyrë vizuale është paraqitur edhe projekti ideor. Sipas këtij projekti ideor parku i fshatit Pozheran do të ndërtohet në një hapësirë prej 50 ari./2L ONLINE/

KOMENTE