“Poverty trap” – Kurthi i varfërisë

“Poverty trap” – Kurthi i varfërisë

Të flasësh për zhvillimin ekonomik të Kosovës është të provosh të gjesh zgjidhjen aq shumë të kërkuar e të nevojshëm për realizimin e kërkesës më prioritare të qytetarëve tanë, e cila është papunësia.

Faton BISLIMI

Papunësia në Kosovë është jashtëzakonisht e madhe. Kjo ndërlidhet edhe me pamundësinë e shumë bizneseve të vogla e të mesme që të legalizojnë edhe ata pak punëtorë që realisht i punësojnë.

Nuk zgjidhet problemi i papunësisë përmes rritjes enorme të punësimeve të përkohshme të ndërlidhura me grante qeveritare për projekte (shpeshherë fantome), apo përmes investimeve publike në infrastrukturë që gjenerojnë veçse vende punë sezonale. Fatkeqësisht, ikjet “kogja” masive të të rinjve nga Kosova, në aspektin statistikor e zvogëlojnë artificialisht numrin e të papunësuarve në vend, por kjo është vecse një mashtrim optik për publikun. Realisht, kjo është tragjedi kombëtare.

Andaj, e vetja zgjidhje e sigurt dhe afatgjate për çështjen e papunësisë në vend është zhvillimi I mirëfilltë ekonomik. Një vend mund të zhvillohet ekonomikisht dhe t’i ikë asaj që në disiplinën e zhvillimit ekonomik njihet si “poverty trap” apo “kurth i varfërisë” vetëm përmes rritjes endogjene të bruto produktit vendor. Kjo rritje do të nënkuptonte edhe zvogëlimin e deficitit të madh tregtar, duke sjellë vendin në një stad të qëndrueshmërisë buxhetore.

Zhvillimi ekonomik i Kosovës është i realizueshëm. Por, kjo kërkon përkushtim dhe disiplinë të përpiktë fiskale dhe buxhetore nga qeveria e re e vendit, investime kapitale në sektorin e prodhimit përmes partneriteteve publiko-private, marrëdhënie të qëndrueshme me Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe përmes krijimit të një Fondit të Posaçëm Investiv për Diasporën.

Fondi i Posaçëm Investiv për Diasporën është mekanizëm që do t’i ofronte mërgatës sonë mundësi investimesh në Kosovë përmes garancive bankare e shtetërore. Ky Fond do t’i siguronte afaristët nga mërgata jonë që idetë e tyre ndërmarrësore t’i realizonin në Kosovë, që kursimet e tyre t’i sillnin në Kosove (duke iu ofruar atyre një rate interesi më të mire se në vendet ku ata jetojnë).

Unë besoj në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe e shoh Fondin e Posaçëm Investiv të Diasporës si mekanizëm të favorshëm në këtë kuadër. Vetëm kështu zhvillohet Kosova!

Natyrisht zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të Kosovës duhet t’i paraprije një sistem juridik I bazuar ne sundim të plotë të ligjit. Siguria juridike është parakusht për të siguruar investimet e mërgimtarëve dhe çdo aspekt tjetër të zhvillimit ekonomik.

KOMENTE