DYLON

Postmodernia e Mehmetali Rexhepit

Postmodernia e Mehmetali Rexhepit
Redaksia

Shkruan: Sarë Gjergji

(RECENSION PËR LIBRIN E MEHMETALI REXHEPIT “SYPRINAT”); – SHB ROZAFA, Prishtinë, 2026

EkoHigjiena

Libri me tregime “SYPRINAT” i autorit Mehmetali REXHEPI, tashmë i njohur për opinionin lexues në letrat e shkrimit artistik e të diskurseve kritike të shqipes, tërheq vëmendjen e lexuesve, veçmas atyre të nivelit më të ngritur kulturor e profesional.

Dorëshkrimi i librit “SYPRINAT”përmban njëzet e pesë tregime dhe strukturohet brenda gjashtë ciklesh. Secili nga ciklet karakterizohet nga mëvetësi tematike motivesh e motivimesh, por pashkëputshëm i përshkon e njëjta qasje stilistike që e ndërthurë tërësinë e kompozicionit të lëndës dhe përsiatjet rrëfimtare të saj. Këtu vërejmë një imagjinatë depërtuese në dukuritë shpirtërore dhe,  një penë-shkrim i sprovuar për kapje ngërthesash komplekse të mjedisit paragjykues e kundërthënës; mëtimin për zbërthime të nyjave të fateve njerëzore, nga realiteti sipërfaqësor jetësor në realitetin e përthelluar fiktiv – ideor – psikik, në pleksjet figurative – ekzistenciale – filozofike – estetike të qenies së njeriut.

Ndarjet ciklike brenda gjashtë sitsh: Mëtime nën shpata, Plagë të shtresuara, Bardhësi përtej dogmave, Nga vjen makthi, Bëma të pa rëndomta dhe Peshoreve të  çiltërsisë, secili cikël me nga katër proza të shkurta me përjashtim: në ciklin e  parë është përfshirë  tregimi Përmbushja e mëtimit paksa më i gjatë me elemente të novelësdhe, cikli i pestë përmban pesë tregime për dallim nga katër tek të tjerët.

Librin “SYPRINAT”, konkurrues për botim nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës e nderon, sipas rendit të paraparë të çdo botimi të mirëfilltë, në këtë rast, vështrimi kritik – estetik i recensuesit, i shkrimtarit të talentuar Afrim Demiri. Shkrimin në pasthënie të recensentit të këtij publikimi letrar artistik e përcjell përkthimi në gjuhën angleze i profesor Mr. Spc. Avni Islami.

Lënda tregimtare e këtij libri duke përfshirë edhe jetëshkrimin e shkurtë të autorit, shtrihet në hapësirën prej 251 faqesh.

Duke respektuar recensuesin Afrim Demiri, që i përqendruar në të shumtën e tregimeve, veç e veç i kësaj lënde në prozë të librit “SYPRINAT,” pa dyshim na lejohet t’ia tumirim konstatimet e përgjithshme, për natyrën dhe veçantinë shkrimore të prozës së autorit REXHEPI, që solli një bukurshkrim modern për kultivimin e tregimit të sotëm:

“Libri me tregime “SYPRINAT”, i autorit Mehmetali Rexhepi dëshmon fuqimisht se fuqia e letërsisë buron pikërisht përtej vëzhgimit sipërfaqësor, atëherë kur syri krijues depërton nën syprinë për t’ia afruar brendësinë apo për të prekur të panjohurën. Në secilin prej gjashtë kapitujve të këtij libri autori Rexhepi e grish lexuesin ta njoh natyrën njerëzore në shumë dimensione të saj, që herë – herë të duket që është vetë përvoja e autorit, apo ajo së paku përngjason me fatet e njerëzve së këtij relievi të përjetuara në rrethana të jashtëzakonshme.”

Shkrimtari REXHEPI edhe përmes këtij vëllimi artistik, vijon përthellimin e hullive të kultivimit të kësilloj proze, qoftë roman apo tregime të shkurtë, që anames i rrëfimit të përshkohet me gjuhën dhe stilistikën figurative të thënies. Kjo prurje vjen shëmbëllyeshëm me kultivuesit e modernes e të postmodernes nga penë – shkruesit tanë të nderuar, si:  Martin Camaj, Anton Pashku, Teki Dervishi, Beqir Musliu, Anton Nikë Berisha, Musa Ramadani, Zejnullah Rrahmani…

Gjithsesi REXHEPI në pikë-caqet e tij mëton të ruaj me zili mëvetësinë e tij krijuese. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.