/2L ONLINE/ – Dikur, në qeverisjen e Gjilanit nga subjekti i tij, ishte mjaftë i zëshëm, jo për ndonjë gjë tjetër, sa për shkakun se ishte në krye të Zyrës për Informim të Komunës, por edhe sekretar Dege, por pas zgjedhjeve që e quan subjektin e tij politikë, në opozitë, sikur heshti pak më gjatë seç pritej. Por, tani thotë se ka ardhur koha e fundit e konsolidimit dhe funksionalizimit të subjektit të tij politikë, për të shkuar sigurt drejt fitores dhe rikthimi në qeverisje me Gjilanin.
Ai flet pa dorëza se çfarë profili i duhet PDK-së së Gjilanit ta ketë në krye, për mendimin që ka për ata që e drejtuan deri më tani PDK-në, për qeverisjen aktuale të Gjilanit, për të qenit apo jo në koalicion me LDK edhe në nivelin lokal, për zhvillimet brenda partisë…
Është ky, Shefik Surudlli, aktualisht sekretar i Degës ës PDK-së në Gjilan, Tani ai flet pa dorëza në një intervistë për Portalin 2L ONLINE, të cilën po e japim më poshtë:
2L ONLINE: Kush duhet ta drejtojë degën e PDK-së në Gjilan?
Shefik Surdulli: Pas një kohe relativisht të gjatë, prej zgjedhjeve të fundit komunale, Dega e PDK-së në Gjilan, tashmë është në përpjekje për konsolidimin e saj, respektivisht zgjedhjen e kryetarit të Degës, për të vazhduar mandej në funksionalizimin e gjithëmbarshëm të degës, sepse, ashtu siç dihet, nga zgjedhjet e fundit parlamentare, e deri tani, dega është pa kryetar, por qe prej atëherë udhëhiqet nga një koordinator, i emëruar me mandat deri në ato zgjedhje.
Degën e PDK-së në Gjilan duhet ta drejtojë një kryetar, i cili këtë pozite drejtuese e sheh si sakrificë, e jo si vend pune apo biznes. Një kryetar qe e ka vullnetin, qe ka kredibilitet publik dhe autoritetin e duhur e të mjaftueshëm unifikues për rimobilizimin e gjithë atij potenciali që e ka dega e PDK-së në Gjilan.
Një kryetar, i cili merr mbështetjen e fuqishme të kryesisë dhe gjithë strukturës së saj, dhe domosdoshmërish që ka mbështetjen edhe të kryesisë dhe kryetarit të PDK-së.
Një kryetar, i cili e çmon dhe vlerëson lartë angazhimin dhe kontributin e secilit prej aktivistëve të partisë, të cilët, dorën në zemër, nuk e kanë pas mjaftueshëm kujdesin meritorë dhe trajtimin dinjitoz nga ne.
Një kryetar, të përgatitur mirë, të afërt dhe komunikues edhe me shtresën e gjerë qytetare, e cila atë e akcepton si shpresëdhënës për një qeverisje të njëmendë për qytetarin dhe vetëm për të.
Pra, mendoj se degës së PDK-së në Gjilan, nuk i mungon ky profil autoriteti.
2L ONLINE: A jeni ju të interesuar ta udhëhiqni degën?
Shefik Surdulli: Jo, assesi, nuk e kam prioritet. Nga ky pozicion imi, dua ta jap kontributin tim edhe më tutje, të paktën deri në konsolidimin e degës, ndonëse kam pas arsye të bollshme, që të mos vazhdojë më tutje me angazhimin tim politik në PDK.
2L ONLINE: Çfarë mendoni për emrat e përfolur për kryetar dege, (Izmi Zeka, Zenun Pajaziti, Qemajl Mustafa, Shpend Elezi, a ndonjë emri tjetër i përfolur tani së fundi)?
Shefik Surdulli: Mjaftë kemi menduar për ta, pavarësisht respektit që kam për kontributin e secilit prej kryetarëve të deritashëm të Degës, dhe po ashtu për kandidaturat e përfolura, e në mënyrë të veçantë, për emrin e dr. Shpend Elezit, si një potencial jashtëzakonisht i çmueshëm intelektual-shkencor, përtej dimensionit lokal e kombëtar, emri i të cilit, gjithsesi i bënë nderë PDK-së.
Pra, duke e ruajtur respektin për kontributin e secilit, mendojë se, të gjithë ne bashkërisht, duhet të mendojmë më seriozisht dhe me përgjegjshmëri të lartë, duke e tejkaluar veten secili prej nesh dhe duke dal mbi interesat dhe egot personale, në mënyrë që ta zgjedhim një kryetar të degës, afërsisht nga ai profil që e vijëzova me lartë. Jemi vonuar mjaftë. Tani është koha…!
Në princip, mendojë që rendi ka qenë për figura te reja politike, por, fatkeqësisht, nuk i kemi lënë të “nxjerrin kokë” profilet e reja në degë, dhe tashme jemi para aktit të kryer në këtë drejtim.
Prandaj, duke marr parasysh rrethanat dhe situatën e vështirë në të cilën ndodhet dega e PDK-së në Gjilan, nga zgjedhjet e fundit komunale, nga të cilat pësuam disfatë të thellë me një rezultat të turpshëm për ne, duke pasur parasysh
pakënaqësitë e arsyeshme dhe dëshprimet e aktivistëve, mendojë se, për kohën e paktë që ka mbetë, deri në zgjedhjet tjera, kemi një situatë të vështirë me sfida të rënda, e cila nuk na jep shumë mundësi për të zgjedhë. Megjithatë, unë shpresojë në vullnetin, gatishmërinë dhe përgjegjshmërinë e Kryesisë dhe Këshillit Drejtues të Degës për të bërë zgjidhjen dhe zgjedhjen e duhur, që kishte me ringjallë PDK-në e Gjilanit dhe shpresën e saj për fitore në zgjedhjet e radhës.
Pra, në këtë relacion, pa e përjashtuar dhe pa a nënçmuar asnjërën prej kandidaturave të mundshme eventuale, personalisht mendojë se jo të gjithë i kanë predispozitat e domosdoshme për kryetar dege, i cili njëkohësisht do të jetë kandidat i mundshëm për kryetar komune, në të ardhmen.
Nga pozita e sekretarit të degës, për arsye të parimeve të mia, po edhe për shkak të përpjekjeve serioze të kryesisë për konsolidimin e degës, nuk dua të veçojë ndonjërin prej emrave të mundshëm për kryetar të degës së PDK-së në Gjilan.
Por, sidoqoftë, për këtë vendosin strukturat e saja, që sipas statutit të Partisë Demokratike të Kosovës, e thënë qartë në nenin 24, pika 3, kryetarin e degës e zgjedh Këshilli Drejtues i degës.
2L ONLINE: Çfarë i duhet degës së PDK-së në këto momente?
Shefik Surdulli: Në këto momente, të përpjekjeve të kryesisë, për këndelljen e degës, na duhet një qasje tjetër, më serioze, për të gjitha çështjet e hapura në degë. Mendojë, se nuk duhet të harxhojmë shumë energji për të kaluarën, për shkaqet dhe defektet që e quan PDK-në në humbje (e që përgjegjës jemi të gjithë, varësisht nga pozitat hierarkike të përgjegjësisë) por, nga përvojat e deritashme në rrugëtimin gjashtëmbëdhjetë vjeçar të PDK-së, në rënie – ngritjet e saj dhe prapë rënien, besojë që i kemi mësuar mjaftueshëm rrugët e dështimeve nëpër të cilat nuk duhet t’i biemë më, sikundër që i kemi rrugët e suksesit dhe ngritjes së PDK-së të cilat për ne mbetën përherë të kalueshme.
Pra, degës së PDK-së në këto momente, i duhet kthjelltësia dhe gjakftohtësia e secilit anetarë të kryesisë, në vlerësimin e gjendjes në të cilën ajo ndodhet, për ta tejkaluar atë suksesshëm, pa anime dhe assesi në relacion me interesat personale. Dhe, nëse kështu ecë ky proces, unë shpresojë në rezultat pozitiv. Fundja, kemi detyrim dhe obligim statutar ndaj aktivistëve dhe anëtarësisë sonë, e cila, ndonëse e dëshpëruar arsyeshëm, me padurim pret funksionalizimin e degës.
Një gjë që dua ta potencojë, është se, degës së PDK-së, deri tani, i ka munguar, në një masë të madhe, institucioni i falënderimit – mirënjohjes dhe kërkimfaljes së sinqertë, për gjithë ata aktivistë të devotshëm, Organizatën e Rinisë dhe Gruas Demokratike, anëtarë e simpatizantë të shumtë, si dhe për gjithë ata donatorë që kanë qenë njëra prej shtyllave më të fuqishme të sukseseve të PDK-së, që nga themelimi i saj. Dhe tash, në këtë bisedë me këtë medium tuajin të respektuar, mbase do të tingëllonte paksa demagogjike nga unë, në cilesinë e sekretarit të degës, që tash se voni ta falënderoja dhe t’i kërkojë falje kësaj AUREOLE të lavdisë e të fitoreve të PDK-së. Megjithatë, personalisht, edhe tash, ua shprehi mirënjohjen time të thellë.
2L ONLINE: Si e vlerësoni qeverisjen Haziri?
Shefik Surdulli: Për mua personalisht, tash e dy vite, nuk ka asgjë befasuese nga qeverisja Haziri, dhe natyrashëm që nuk presim ndonjë befasi edhe në gjysmë mandatin e fundit të kësaj qeverisjeje, ngase ne nuk kemi harruar (por edhe qytetarët nuk do të duhej të harronin!), sepse është po ky model degjenerues i qeverisjes Haziri, 2000 – 2004.
Ndërsa me vije keq për qytetarët e lajthitur, pritjet e të cilëve kanë qenë tjera nga ato që po i përjetojnë sot nga kjo qeverisje e dergjur.
2L ONLINE: A duhet te futeni ne qeverisjen lokale, që te kemi si në qendër koalicion LDK-PDK?
Shefik Surdulli: Ndonëse ka pas tentativa edhe më herët, dhe është “matë” opinioni brenda PDK-së, nga një grup i caktuar interesgjinjësh, nga te dy taboret, kjo iniciativë për “vëllazërimin” LDK-PDK, nuk ka shkrepë. Dhe jam i të njëjtit mendim, si atëherë, ngase PDK-ja në Gjilan, është pajtuar (me përjashtim të ndonjë “babaxhani”) se i ka humbur zgjedhjet dhe është në opozitë.
Pra, nga ky pozicion, do të punojmë duke i shfrytëzuar të gjitha premisat që i kemi, duke e shfrytëzuar po ashtu edhe këtë keqqeverisje, për ta fituar këtë betejë demokratike duke ia rikthyer qytetarit besimin e humbur. Prandaj, PDK-ja në Gjilan, edhe në këtë gjendje dhe nga ky pozicion, ka sensin e të artikuluarit racional, të objektivave dhe synimeve të saj, brenda platformës së re politike, e cila do ta shpie sigurt në fitoren e saj të radhës.
Prandaj, është i pakrahasueshëm dhe jo analog koalicioni atje lartë, i PDK-së me LDK-në, me ne këtu në Gjilan. Për të mos e ilustruar këtë “analogji” me fabulën banale në këtë rast, të kalit dhe të bretkosës, por edhe për shumë arsye tjera të njohura botërisht, kjo punë në Gjilan, nuk bëhet dot – “No pasaran”! /2L ONLINE/