PORTRETI ME SHI
(Mikut të zemrës: Kelmend Jashari, (4 shtator 1966-25 prill 2019)
Mehmetali Rexhepi
nuk do të na shtrydhje për ta parë këndej si pikon shpirti
këndej ku ka Mend
s`ke faj që të mori përdhunshëm mizorja
të preu në besë lum miku
s`mund t`i merrte të gjitha përkatësitë
zjarrin e jetës që ndeze ato gaca prushi shiu nuk i fiku
Kel-Mend
ku e lë atë shkëlqim vezullor të kontrastit të fortat shtytje
mes Teje e meje si i bartje në hapësirën e atij ylli
thuamë të lutem në cilën orbitë të kërkoj
se prej këtij fund-prilli prej lotit të gurit më digjet pylli
sythat kanë hapur prushin e bardhë
kësaj pikture pesëdhjetë e dy vjet kornizat e syve ia mbështillje me radhë
dhe ja mbi Ty Mend fluturuan petalet e lagura në shtylla e mure
kaq ishte bukuria grabitet eleganca dhe shtrihet përdhe
mandej fshehtas anija e mizorisë në mushkëri paska lëshuar spiranca
erdhi brodhi dhe në stuhinë e frymëmarrjes të shpoi
akull i mbledhur hijes mushkëri e derdhur dhe kosto e hiles
Kel-Mend
lë aq hire sa t`i vizatojmë në çdo kënd buzëqeshjet
sa të mund t`i ngrehim virtytet për një shtatore jo prej bronzi
prej eshtrash mishi gjaku nervash e loti
bie shi shi shi
e toka e dhimbjes nuk ngopet assesi
*
laj sytë mbi një krua kristali
dhe shoh fytyrën time te Kelmend Jashari
Gjilan, më 27 prill 2019