Nga: Mehmetali Rexhepi
/2L ONLINE/ – Këtë shkrim për portretin letrar të Sarë Gjergjit, e nisa me turbulencat pas këngës “Moj e bukura More”, kënduar nga dueti Frederik Ndoci dhe Alisa Baraku. Më erdhën pamje të turbullta mes Motit të Madh, vargut, këngës, melodisë, tingujve muzikorë, dallgëzimit të valëve të ndjenjave: mozaikut ëmbël-ithtë, dhimbjes së bardhë, mall e mallëngjimit vjeshtak, fisnikëri, brengë e ironi, burrëri, rini e marrëzi, të tilla ndjesi që e përshkuan këtë etni, shpërfytyrimin e saj, ngërthyer në mënyrën e vargëzimit, dalë nga një penë e shkrimit, që e hasim këtu e tutje, pothuajse prej tre dhjetëvjeçarësh; qoftë përmes dëgjimit në orët e leximit letrar, qoftë të lexuar në të përkohshmet letrare- artistike, në revista e vëllime të veçanta, të rralla, me emrin Sarë Gjergji.
Falë”Vjeshtës letrare”, sot po e lakojmë në rasat e shqipes emrin e përveçëm të Sarës, ndryshe do ta përgojonim në ndonjë kthinë, në ndonjë ndejë kafeje, duke e përshkruar e matur me peshoret subjektive prapa shpinës.
Portreti jashtë letrar
Sarë Gjergji u lind në Stubëll të Epërme, më 15 dhjetor 1965. Ka diplomuar Letërsinë dhe Gjuhën Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Vijon studimet për doktoraturë në Universitetin e Shkupit. Deri tash ka botuar numër të konsiderueshëm shkrimesh letrare, artistike e publicistike.
Ishte themelues dhe kryeredaktor i revistës “Lajmëtari” në Graz të Austrisë, anëtar i Stadtpark Forum, një asociacion për art , letërsi, film, teatër dhe muzikë. Kryeredaktor i revistës “Identiteti”, që botohet në Prishtinë. Veprimtar me një varg rolesh për organizimin e veprimtarive kulturore, shpirtërore, poetike “Takimet e Don Mikel Tarabulluzit”, në Stubëll të Epërme.
Poezia e Sarës është përfaqësuar në disa antologji poetike. Po ashtu, është fitues i një varg shpërblimesh në konkursin letrar “Flaka e Janarit”, në Gjilan dhe më gjerë.
Sarë Gjergji në optikën time
Një malësor i kthjelltë përkitazi rrethanave të vrazhda të historisë. I kthjelltë për qasjet ndaj trashëgimisë shpirtërore kombëtare dhe universale. I rreptë dhe i butë… Buzëqeshja ia hijeshon fytyrën dhe çelë gonxhet e joshjes. Mes kësaj pikture të gjallë dhe antonimive ngrihen cilësitë: veçantia, largimi e afria… Sara refuzues: kur i mohohet ose shpifet autoktonia. Sara: miqësor, vëllazëror, kur i spikatet identiteti. Sara: klasik e bashkëkohor në parimet e shenjta për tërësinë e vlerave të njeriut e njerëzimit.
Baraspesha kombëtare, shpirtërore, intelektuale, prirja dhe ndjeshmëria për të ruajtur kodin autokton, për të flakur dogmën dhe izmat, për të kapur modernen, për të joshur ëndjen, për të nuhatur të këndshmen e kamufluar prej kipcash të rremë, e nxjerrin Sarë Gjergjin në përmasën e një figure të çmuar të mjedisit tonë kundërthënës.
Andaj, mos e kërkoni Sarën, për t`ua tumirë demagogjinë, as me kushtëzimin e kafshatës së bukës, nuk do t`ua tumirte! Mos i kërkoni pacifizëm Sarës në emër të pacifizmit të krishterë! Ai do të ndiqte udhën e flijimit për bamirësi. Ai e ka yllin prijatar dhe nuk shmanget nga drita e tij në tokë.
Mos iu vardisni Sarës për ta futur mes militantësh të klaneve, ngase ia cenoni sedrën! Sedra e tij është lirike dhe epike. Ai ka ecur shtigjeve të relievit lirik e epik të Gjergj Fishtës.
Rropatjet e sotme të poetit Sarë Gjergji, për të zërë vendin e merituar, dinjitetshëm, aty ku e meriton, dëshmojnë mjerimin e hierarkisë aktuale politike e të institucioneve të shpifura të Kosovës.
Poezia e revoltës
Në tavolinën time kam vëllimet poetike të Sarë Gjergjit: “Golgotë”, “Drita”, Ferizaj, 1994; “Kontrast ngjyrash”, “Prometheus”, “Graz”, 1996; “Terapia e vdekjes-requiem për Kosovën?”; “Pejzash toke”, “Eurorilindja”, 2004, si dhe publikimin monografik për Stubllën e Epërme. Në sirtarët e tij, Sara ka dhe vëllime të tjerë dorëshkrimesh, ndërsa shkrime të pasistemuara, do të ketë mjaft në raftet e kokës së tij krijuese.
Vitet e publikimit të vëllimeve me poezi, tashmë dëshmojnë për vazhdimësinë krijuese, pavarësinë e shprehjes, duke mos bredhur për gjetje të vetvetes, por duke thelluar, zgjeruar e konsoliduar shtrirjen figurative, me qëmtime më të artikuluar, trajtash e shtresimesh më depërtuese, edhe në ato hapësira të ngushta të vargut, pothuajse bezdisëse, për t`i pajtuar ndjenjën, kumtin, idenë, figurën, pamjet dhe reflektimet, për të arrirë simfoni poetike.
Ku qëndron diskursi poetik e ideor- filozofik i vargut të Sarë Gjergjit?
Mes T.S.Eliotit, Oktavio Pazit, Hausmanit e Kolrixhit, vargu i Gjergjit nuk e ngarkon brishtësinë e poezisë me barrën e mendimit. Megjithatë, ky poet nuk e ndjek pikëpamjen e Oktavio Pazit “S`kam mendime, por imazhe.” Vargjet e Gjergjit, ndoshta i përafrohen pikëpamjes së Kolrixhit “Për tu bërë poet i madh, duhet të jesh filozof i madh.”
Pa mëtuar kërkimin për gjetjen e pikave të përputhjes, ose të dallimit me këtë pikëpamje të teorisë poetike, poezia e Sarë Gjergjit nuk është jashtë këtyre ndikimeve asimiluese. Tipari përshkues i artikulimit poetik të tekstit të Gjergjit është revolta, përkatësisht një rebelim i motivuar i një kryengritësi të përjetshëm. Madje, mllefi e revolta si lajtmotiv është e vijueshme, vetëm ndërrohen trajtat e ngjyrat, ngase “dymijë vjet dhembje/shpresë…/ m`u shuan”.
Përballja e dhunës dymijë vjeçare mbi truallin e Arbërisë dhe për identitetin arbëror, në vëllimin “Golgotë”, poeti nënvizoi Golgotën e etnisë, së cilës i është paracaktuar të jetë prore e sprovuar me dhimbje, me dhimbjen së cilës nuk i shihej fundi:
“(në) Europë
unë jam dhembja e parë dhe e fundit…”
Poezia e Sarë Gjergjit me gjithë shfaqjen dhe relievin e saj, unin poetik e ka lidhur pazgjidhshëm me unin etnik. Aty shpërthejnë vullkanet e mllefit e të pezmit poetik, që prodhuan sprova të rënda, dilema dramatike, epike dhe shqetësime shpirtërore, pa i lënë hapësirë luksit lirik. Uni i këtij poeti asnjëherë nuk ka rënë në gjumin e indiferencës. Përkundrazi. Është identifikuar me etninë dhe përgjon rrahjet e pulsit të saj.
Çfarë është ky identifikim dhe në emër të kujt bëhet?
Identifikimi është i thellë, tejet i thellë, ngase Ilirisë ia kishin ngrënë nyjën i, ndërsa Liria kishte mbetur e sakatuar, te ata që “Kohës/plot formula të zeza” i kishin shpifur. Andaj: Iliria, liria, fatkobi, bushtra plakë, buzëqeshja e djallit Serpent, Prometheu, Juda, Ponc Pilati, Jezui, Europë ose Eu(g)ropa, formulat e zeza e të tjera kësosh, ngërthejë çelësat kuptimorë, dhe shtrohen si koncepte të poetikes ekzistenciale, prej nga burojnë fatet, fatkeqësitë, kahet e drejtimit e të radhitjes, përballjet, mësymjet, dilemat, dinakëritë, tragjeditë, krimet dhe përpjekjet e urtisë për t`i ulur gjakrat, për ta zbutur egërsinë, për të shpëtuar fisnikërinë e sojit njerëzor nga zhbërja, stërkeqa, për ta veshur njeriun me petkat e dinjitetit dhe të identitetit, simbolizuar në urtarët e dërguar nga Perëndia e njeriut…
Me strumbullarë të kësaj mendësie, që Perëndia i ka zbritur në tokë: Krishti, Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza, identifikojnë poetin dhe identitetin e tij; gjithnjë brenda antonimive urtuake, paqësore e luftarake.
Fjalori poetik i Sarë Gjergjit, që nga vëllimi “Golgotë”, vijoi të mos i shmangej koncepteve themelore, që do të jenë shtytja e përhershme, dhe shenja identifikues të kësaj tipologjie poetike.
Intuita e këtij poeti është ngjizur fort për fatin e identitetit, të truallit e të gjakut. Pikërisht kjo tipologji e mban të pa shkëputur unitetin tematik e motivues, ideor e filozofik. Për poetin një përcaktim i këtillë është parësor dhe i shenjtë, është fryma pa të cilën nuk ka gjallëri, pos zëvendësimi i kësaj fryme me instinktin e kafshës.
Nga ky këndvështrim, poezia e Sarë Gjergjit bie ndesh me pikëpamjen e Oktavio Pazit “S`kam mendime, por imazhe”. Poeti e ngarkoi vargun me mision vetëdijesimi. Këtë mision për ta shpjerë te lexuesi, poezia futet në marrëdhënie ndërvarësie me retorikën, përderisa filozofia do të jetë sfondi i saj. Në qoftë se njërës i duhet eleganca e dukjes së jashtme, tjetrës thellësia dhe gjerësia e kuptimit ekzistencial. Mes elegancës dhe urtisë, çka i mbeti poezisë? Poezisë do t`i mbetej frymëmarrja e ngushtuar.
Nga një diskurs i këtillë, le të citojmë:
“Tëhuajsimi i mendjes
është tjetërsim i kokës
Tëhuajsimi i shpirtit
është tjetërsim i qenies”
Të shpeshta janë ndërtime të tilla të sublimit poetik e retorik, që e karakterizojnë poezinë e Sarë Gjergjit.
Ndërtimi i tekstit poetik
Prej librit të parë “Golgotë”, publikuar në vitin 1994, mandej vëllimi tjetër “Kontrast ngjyrash”, botues i së cilës është edicioni “Prometheus”, në Graz, më 1996; nga dy të parat poeti përzgjodhi dhe shtoi poezi të tjera, për vëllimin “Terapia e vdekjes-requiem për Kosovën?”, botuar në Gjilan, në vitin 2000, nga edicioni botues “Ura”.
Referimi i poetit mendësisë biblike, përdorimi i figurave biblike e mitike, paraqet lidhjen shpirtërore me sublimen e urtisë, me atë që pafuqia njerëzore kërkon t`i rrëfehej e të mëshirohej, për mëkatet dhe gjakimet e veta të përditshmërisë së lakmueshme njerëzore. Nëpërmjet një antonimie të dialogut brenda monologut, poeti i shfaq zemërimin, mllefin, pezmin dhe revoltën dikujt, madhorëve dhe tokësorëve, jo vetëm lexuesit, për njeriun, i cili shpesh vetëm dukjen e ka të tillë, përderisa bëmat e këqija, tirania, dinakëria, grykësia e pashuar dhe krimi, janë të atilla, që bota shtazore e veprimeve instiktive, do të duhej të falej e mirëkuptohej plotësisht. E veçanta e mllefit dhe rebelimit të Sarë Gjergjit, nxjerr në pah një shfryrje që del nga akumulimi i natyrshëm, por paqësor, pa premisa agresive, mohuese e zhvlerësuese. Ai tërheq vëmendjen, që Perëndia mizoritë tokësore të mos i vështrojë me indiferencë, asisoj që të lëkundet besimi njerëzor në misionin e shenjtë, përfaqësuar në tokë nga shëmbëllesa e Jezuit dhe shenjtorëve pasues të monoteizmit:
“Të shpallin fajtor dje/të shpallin fajtor sot/nesër/kushedi/me ndërgjegje të vrarë a jetohet” (Në kohë, f.17). Ose në tre vargësin “Ti na dhe Biblën/po s`na the/ “do të përsoset gjenocidi” (Shën Jeronim).
Meqë e dhunojnë urtinë e etnisë dhe të njerëzimit, uni i poetit u jepet këtyre përmasave…; tejet i shqetësuar i bën thirrje Krishtit “O Krisht/ç`të bëhet me ndërgjegjen?”Poezia nuk ka shenja të pikësimit, por këtu vendoset një pikëpyetje. Gjithsesi, shkruan poeti, se Prometheu “Besnik i rri revoltit tënd të përjetshëm.”
Duke lexuar poezinë e ritmeve të shqetësuara e drithëruese, poezia e Sarë Gjergjit yshtet drejtë një shtegu tematik për të konstatuar, se kjo poezi është shkruar për t`i shëruar dy përmasa: përmasën etnike dhe njerëzore. Në këtë univers poeti lyp hapësirë për njeriun dhe tokën, që “Homo sapiens” e “Homo duplex” të mos mbeten në një Saharë të djerrë pa shiun etik, sepse kur mungon shiu, shkretëtira do të laget me gjakun njerëzor: “Flijimi nuk është akt i kotë/imazhin tënd do ndryshuar botë.”
Stili i shprehjes së kursyer
“Zjarr në qendër të Kozmosit
Zjarr në zemër të Tokës
Zjarr në tru të Njeriut
Zjarr!!!”
Një strofë e vetme e anaforës, si në katër vargësin e cituar, poeti nxjerr klithmën e tij kozmike… Në ritmin e tre vargësit pesë-gjashtë rrokësh, në një hapësirë tejet të kursyer, shtrohet akti i një këlthitjeje të skajshme, madje në trajtën e përsëritjes vetëm në një rrokje të vetme!
Poezia e një vokacioni të tillë madhor, trajton luhatjet ekzistenciale të njeriut, paragjykimet dhe djallëzinë; gjuhën e këtij fjalori e përshkojnë ngjyrime ironike dhe kumte paradoksale. Stili kap dhe bartë ide të mbarsura me brenga, por meqë i ka shtruar vetes një regjim të rreptë kursimi, duhet të durojë bezdinë e kursimit, duke futur në veprim fjalët e fjalëzat e pakta, të cilat nuk ua zënë frymën reflekseve metaforike, pamjeve ndotëse të një çmendësie të pakorrigjueshme.
Çfarë mbeti nga poezia?
Drithërima e pritjes dhe grotesku. Kujdesi bezdisës për ta rikthyer fisnikërinë. Këto premisa prore kushtëzohen nga ecja e shtrënguar, që poezia të mos rrëshqasë nga diskursi i imagjinatës në diskursin e retorikës. /2L ONLINE/