Liria!
Jetojmë në një kohë të qetë në liri dhe përparim. Gjithmonë ka pasë skamje dhe kurrë nuk ka qenë, që të gjithë kanë qenë të barabartë. Edhe tani ka skamje, -por ka edhe që kanë shumë dhe që kanë një jetë shumë të mirë. Ka edhe milionerë në këtë vend tonin të shtrenjtë, e besa së fundit edhe miliarderë. Si gjithë bota, më pak o më shumë.
Vlera më e madhe për kombin tani është l i r i a që erdhi më 1999. Erdhi pas 2200 viteve robëri të pandërprerë kurrë. Tanimë është liri ka 17 vite dhe u mësuam me të. E menduam dhe e muarëm me mend si duket liria, por tanimë e kemi dhe jemi në liri. Kjo është f i t o r j a mbi të gjitha fitoret dhe humbja mbi të gjitha humbjet e armiqve tanë. Themi “tanë”, sepse janë tanët dhe duke jetuar bashkë me ta gjithmonë, na u bënë pjesë e pandashme e jetës tonë 2200 vjet.
Duke pasur një jetë prej robi me armiqt tanë, kemi trashëguar një jetë ndryshe, të robit, e me këtë edhe të menduarit ndryshe, -pokështu të robit. Robi mendon si rob dhe njeriu i lirë, si i lirë. Kishte në të vërtetë ikje nga robëria, z o n a t ë l i r a, si dhe kryengritje e luftëra për liri. E drejta e njeriut është të jetë i lirë dhe këtë nuk mund të ia mohon askush. Tani kur jemi të lirë, e kuptojmë më mirë, sepse u mësuam paksa për kohë të shkurtër me lirinë.
Kanë ardhë breze të reja, të lindur e të rritur tani duartë e para besa në liri, që mendojnë si të lirë e jo si rob. Kështu menduan mëparë ata që u çuan kundër robërisë dhe ata ishin paraprijësit e këtyre brezeve që erdhën në liri. Të gjithë muarën pjesën e vet të pagesës e shpagesës dhe gjithsecili ka meritën për lirinë që është tani.
Të gjithë kaluan nëpër dyertë e rënda të vuajtjes dhe rrugës së rëndë me vargonjë që armiqt, që tani mbahen për miq shumica, farkuan, për të mbajtur në robëri popullin tonë. Këtë e dijmë ne vetë dhe nuk ka nevojë të na e mësojnë armiqt e urryer o të dashur tani.
Me të vërtetë, liria nuk ra prej qiellit, por për të dikush dha dhe pagoi, shumën që duhej paguar për liri. Mirëpo, kjo masë pagese ishte gjithmonë dhe gjithmonë u pagua, por nuk u shpagua liria, sepse armiku ishte aq i fuqishëm sa populli nuk kishte me se të paguante lirinë në të vërtetë. Ndodhi por kjo më 1999! Erdhi kështu një masë pagese si çdoherë por me ndihmë të miqve e njerëzve të drejtë të Zotit, që ofruan ndihmën e nevojshme dhe shpagimin plotësues për ne.
Ishte në të vërtetë vendim i Zotit, që ky popull në këtë nënqiell të çlirohej. Kështu erdhi çlirimi në këtë Vjet të Zotit dhe në këtë Ditë të Madhe u hoq përfundimisht robëria. Nderi dhe dinjiteti iu kthyen njerëzve të këtij vendi dhe jeta jonë u ringjall në liri!
Tani, kah të shkojmë nëpër vendin tonë të stërbukur, shohim njerëz të gëzuar, të shëndoshë, me forcë e synime, me punë e mund, -si rendin gjithsecili, pas të mirave që solli jeta e re, në liri!…
Gjithë këta të rinjë që erdhën pas luftës, që u lindën e u rritën të lirë, pa parë, as njohur, as dëgjuar, zërin e thekshëm të armikut, në çdo vend, e në çdo skutë! Gjithë këta të rinjë, brenda vendit e jashtë, kanë tani jetë të lirë dhe të dinjitetshme. Kanë sigurinë e jetës dhe të ardhmën përpara, të shëndoshë dhe të gëzueshme!
Qyteti ynë mëparë dhe tani!
Mbaj mend!…Isha në Hetuesi të sigurimit të shtetit atëherë, vitet e ‘Tetëdhjeta…Një natë, ata të sigurimit më hodhën përpara në tavolinë një fletë me vizatime të lira, të një vendi urban, që e kisha bërë vetë, e që e kisha marrë me mend, si do të duhej nga dëshira ime të ishte Qendra e Qytetit tonë, Gjilanit…Në pyetjen se çfarë harte e çfarë fshehtësie kishte ilustrimi, u thashë atyre të hetuesisë, se kjo ishte d ë s h i r a ime në të ardhmën, se si dua të duket Qendra e Qytetit dhe tutje gjithë qyteti!…Në të vërtetë, ilustrimi tregonte një Qendër moderne, me rend, me objekte të larta banimi e afariste, me ndriçim e ngjyra joshëse, si dhe me këtë, një rritje e ngritje të madhe e qytetit!…Rinia!?
Ky ilustrim gjatë tërë Hetuesisë ma ka çarë kryet, ngase ata të sigurimit kishin dyshim se ky ilustrim fshihte një rrjet forcash të ilegales dhe të operacioneve të veprimit. Tani, qyteti ynë ka rreth treqind ndërtesa të larta dhe shumë pjesë të qytetit janë Zona Industriale dhe supermoderne. Kishim një “soliter” në Qendër, hu, kurse tanimë kemi treqind dhe të tjerë që po vijnë.
Kemi rrjet rrugor të kënaqshëm, elektrifikim, ujësjellës, kanalizim, si dhe shërbime tjera komunale bashkëkohore. Gjithçka, kahdo shohin sytë e dëgjojnë veshët, tregon të mirën e lirisë dhe ndihmën e miqve e njerëzve të drejtë të Zotit që na ndihmuan e po na ndihmojnë, por edhe të angazhimit të njerëzve tanë secilit në vend të vet. Kjo është, -ajo që synoi populli 2200 vjet pandërprerë.
Në rregull?! Po mendoj, në rregull që liria është tani dhe që këto që janë, janë me të vërtetë?! Shihen, dëgjohen, preken, shijohen! Është një botë reale, jo mistike, që është në jetën tonë dhe që ne jemi vetë këtu, e që nuk ka nevojë për këtë të na flet dikush nga jashtë a nga brenda, për këtë.
Gjatë gjithë pasluftës, megjithë ndasitë me parti dhe me grupime interesesh e kundërshtish, qyteti dhe gjithë rajoni ka ecë përpara me hapa gjigant dhe jeta e njerëzve ka ndryshuar me të madhe, për mirë. Nuk të zen syri më kund shtëpi të vjetër, as rrugë pa asfalt, as ka më vend pa elektrifikim, pa ujë e pa kanalizim. Rrugëve të asfaltuara kahdo fërfëllojnë pandërprerë vetura më bashkëkohore dhe mjete tjera transporti, sa duket nga to se jemi një vend vërtetë industrial! Kështu, me shkollë e pa shkollë, mund të përfundojmë se liria është këtu dhe ne jetojmë tani në liri, me të vërtetë!
Liria është kusht për jetë dhe njeriun Perëndia e bëri të lirë, sepse nuk mund të ketë jetë pa liri, që do të thotë se jeta në robëri nuk është jetë. Robi as nuk mund ta njoh Perëndinë dhe as Perëndia nuk don që njeriu të jetë rob. Liria është kështu prej Perëndisë dhe nuk ka libër në botë që e thotë të kundërtën. Pasi qenka kështu, të gjithë ata që e thonë të kundërtën janë në të vërtetë kundër ligjit të Perëndisë.
Kështu e me këtë, e me këto, e me ato tjerat që vijnë pas këtyre, vendi ynë dhe populli ynë në këtë vend ka jetë në liri dhe kjo është gjithë çështja. Perëndia jep dritën, shiun, e të tjerat të gjitha, si për të drejtin, si për të padrejtin, njësoj. Drejtësia e Perëndisë është e vërteta e gjithmonshme dhe ndryshon nga drejtësia që e japin njerëzit. Në të vërtetë edhe njerëzit do të duhej të jepnin drejtësinë siç e jep Perëndia, por njerëzit nuk e japin drejtësinë kështu.
Gjithmonë, njerëzit dhanë drejtësinë mbrapshtë dhe njëanshëm. E dhanë me kusht të rëndë, që ishte kusht i robërisë, si dhe për drejtësinë bënë luftëra, që drejtësia të mos ishte e njëjtë për të gjithë. Të kota janë thirrjet e njerëzve për drejtësinë që del nga besimi, sepse askush nga besimi nuk mund të shpëtohet dhe se njeriu nuk ka qëllim drejtësinë nga besimi kurrë. Nuk mund të gënjehen as njerëzit, le më Perëndia, për këtë!
Ora e Fundit!
Më kujtohet nga shkolla, kur mësuesit, kur donin të kalonin një nxënës të dobët, e pyetnin se “çka kishim mësuar Orën e Fundit”! Nëse një nxënës nuk din as çka ka mësuar Orën e Fundit, nuk ka mundësi tjetër për ti dhënë Notë Kaluese!? Tani janë kohëra tjera dhe nota jepet edhe me kusht, o me status social, mirëpo çështja është gjithnjë se a mësuam diçka gjithë jetën, nga shkolla apo nga sprovimet?!
Sigurisht se nëmos nga shkolla, sëpaku nga sprovimet kemi mësuar shumë, për më tepër mjaftueshëm, sa për të ditur vetë, e pa nevojë që dikush të na tregojë neve për vetën tonë!? Për më tepër tani kur nga jashtë, nga bota, edhe nga skajet e botës vijnë e na mësojnë, për jetën tonë, për të tanishmën e të kaluarën, si dhe për të ardhmën!
Secili le të ndalet, e të mendoj thellë në heshtje, sikur në një l u t j e , për gjithë këtë. Le të dëshmojë secili në vete për vetën sëpari, se a është kjo liri dhe se a ka të mira tani që sikur mos të ishte liria, a do të ishin?! Le të dëshmojë secili për vete dhe të jetë i denjë që të dëshmojë edhe para tjerëve se tani ka një dallim nga koha e shkuar, që krejt afër, para ‘Nëntëdhjetenëntës!?
Gjithë këta të rinjë e të reja, plot gjithë vendi, të shëndetshëm e plot jetë, që na bëjnë jetën madhështore, thuase nuk i pengojnë armikut? Thua se armiku rrin qetë dhe pajtohet? Mendon kush se armiku përfundimisht u ndal dhe nuk na e mendon më të keqën? Pajtohet ai me lirinë tonë? Pranon ai gjithë këtë? Na e do të mirën armiku?
Ka dallim apo nuk ka nëmes të robërisë dhe lirisë?! Ka nevojë apo nuk ka të falënderohemi për lirinë tani, apo jemi kah besojmë kot?! Këtë duhet ta themi dhe ta pohojmë, vetë, kjartë dhe me zë! Duhet të mendojmë vetë për vete, apo të pyesim botën për punën tonë? Të jemi të guximshëm e të themi të vërtetën, apo të heshtim, sepse kjo i pengon dikujtë, që na ofron ndihma e dhurata?…
Unë dëshmoj vetë për vetën, se ka dallim dhe se dallimi është në lirinë sëpari. Ishte robëri dhe tani është liri. Liria është me çmim sa të krejtë botës dhe se nuk ka kush që do të na e jepte lirinë, me asnjë çmim. Të parët tanë përpara, gjithnjë, luftuan gjithmonë, dhanë jetët dhe gjithçka që shkon me jetën, porse nuk muarën lirinë, mëparë. Tani kemi lirinë.
Mendoj se është liri, sepse unë e di vetë vlerën e saj, pasi isha i ndjekur politik. Përveç viteve të burgut, kisha edhe ndjekje e arrestime shumë. Njëmijë herë arrestime i pata shënuar, mandej nuk i shënova më. Tani qëprej pas luftës, asnjëherë nuk më arrestoi kush dhe nuk më erdhi kush në derë, as nuk më zuri rrugën, as nuk më ndoqi. Për mua ky është dallimi i nëmes të lirisë dhe robërisë. Kështu unë dëshmoj vetë, për vetën, se jam në liri dhe për këtë i falënderohem Perëndisë çdo ditë e çdo kohë që më bjen në mend. Kjo është kujtesa ime falënderuese Perëndisë çdo ditë e çdo kohë dhe kështu mandej falënderoj e përkujtoj, pa harresë kurrë, t ë m i r ë n e P e r ë n d i s ë!
-“Falëmnderit Perëndisë për lirinë dhe të gjitha të mirat që ka dhënë dhe jep për ne”! -Ky është falënderimi im çdo ditë e çdo kohë Perëndisë dhe thënë e menduar shqip. Më së miri e më së drejti është kur Perëndisë i falënderohemi për mirësinë, shqip! Besoj për më tepër se në gjuhë të huaj falënderimi e humbë kuptimin dhe arsyen, pasise asnjë përkthim nuk mund ta kalojë ndryshimin nëmes gjuhëve.
Teoria e Kaosit!
Shkrimi i Shenjt na mëson se Perëndia u tha profetëve, që tu thonin mbretërve, e këta ti thonin popullit, -që mos të miqësoheshin me armiqt, sepse armiqt nuk bëhen kurrë miq dhe se liria nuk është njësoj sikurse robëria. Miqësia me armiqt do të thotë robëri dhe për këtë miqësia me armiq është e ndaluar! Nuk është thënie e njerëzve, por është thënie e Perëndisë.
Miqësia me armiq do të thotë armiqësi kundër kombit dhe dashuria me armiq do të thotë urrejtje për kombin. Në zemër ka vend për vetëm një dashuri dhe për këtë dashuria është e ardhur për njerëzit e familjes e të kombit, mandej për miqt, e jo për armiqt. Dashuria për armiqt është e gënjyeshme dhe çon në mashtrim, kurse mashtrimi shpjet çon në vdekje. Kështu, dashuria për armiqt është rruga më e shkurtër që çon në vdekje.
Kjo “vdekja” ndërkaq, të shumtën nuk është vdekje e trupit, por është vdekje e zemrës dhe dashurisë për vete, për njerëzit tanë dhe për kombin. Nuk mund të ketë vend në zemër edhe për njerëzit e mi, -edhe për armiqt. Për më tepër, dashuria për armiqt është urrejtje për Perëndinë. Le të luten e falen gjithë ditën edhe më të përulurit e më të devotshmit para Perëndisë, -se nëse duan armiqt, -do të jenë kundër Perëndisë!
Teoria e Kasosit, ndryshe thënë me plotësim veprimi, -e Mashtrimit, është kundër lirisë dhe del prej armiqve kundër neve. Armiqt janë të pranishëm në jetën tonë, qoftë dhunshëm, qoftë me lajka, qoftë se kanë fatin të jenë në një bashkësi me ne. Gjithë njerëzimi ishte në një përzierje fisesh e besimesh dhe nuk pati kurrë një vendbanim a një popull që ishte i njëjtë me të gjitha. Armiqt ndërkaq janë pokështu, të përzier e të ndarë prej nesh, por pasi janë armiq, na e duan të keqën, që do të thotë vdekjen. Për këtë quhen armiq dhe kjo duhet të kihet parasysh gjithmonë.
Teoria e Kaosit ndërkaq mu këtu fillon! Armiqt dijnë të na afrohen, të bëhen fqinjë e miq të sinqertë dhe të na ndihmojnë kinse, porse pasi janë armiq, qëllimi i tyre është që të na zhdukin. Ndërkaq para se ta arrijnë qëllimin, ata na njollosin, na helmojn, na përgojojnë, na përçajnë, na tallin e shpotisin. Një e përkrahin e të tjerët i sulmojnë, shpërndajnë ndihma e dhurata dhe me këto dhurata na vrasin në të ardhmën. Me atë që na japin tani na vrasin pas dhjetë vjetëve.
Armiqt, para se të na sulojnë për të mbramën herë, me armë zjarri e të ftofta, na helmojnë nëmes vete. Ky helm nuk vret por përçan dhe ndan njerëzit me urrejtje nëmes vete. Ky helm tutje ndan kombin në dy anë, në ata që janë për kombin dhe në ata që janë kundër kombit.
Ne shohim e dëgjojmë bashkëkombas që çirren për lirinë, por dëgjojmë të tjerë njësoj bashkëkombas që çirren kundër lirisë! Dikush nga tanët përmendë heronjtë, por dikush tutje përfundi menjëherë i rrin gati dhe mohon e tallë heronjtë. Që të dytë janë shqiptarë, por ja një dallim krejtë armiqësor nëmes, -sepse kështu mësojnë armiqt. Që të fshihet e tërë kjo, ky zanati i kaosit, mashtrimit të madh, mësohet e specialzohet me vite e vite dhe kuadrot që shkollojnë armiqt prej njerëzve tanë, gjithnjë janë në rritje e në “cilësi”. Teoria e Kaosit mëson se si bëhet kjo punë, me sukses!
Është shqiptar dhe flet shqip, por del në media dhe thotë se nuk është shqiptar! Është shqiptar dhe flet shqip, por urren kombin e vet!-Pse? Si? –Si shqiptari të del në publik tonin, jo të huajin, e shqip kjartë, të hedh helm e vrer kundër personaliteteteve të kombit me të cilët identifikohemi e me të cilët na njeh bota?! Pse, si ndodhë kjo? Kjo ndodh ngase armiqt janë në mesin tonë dhe kanë zënë vendin në krye me kohë, e kanë punuar me zell për kohë të gjatë, në heshtje, që të na binin në këtë ditë, kështu.
Kot flet me vëllaun, a njeriun tënd, dosido, sepse ai ka shkuar një rruge tjetër kahmot dhe me të më nuk ke kurrfarë gjëje të përbashkët. –Por, gjuha e njëjtë, sëpaku, si dhe afërsia!? Njeriu im, hej!? -E po kaosi këtë e ka për qëllim! Ara do gardh dhe një derë. Nuk mund të ketë as arë as kopsht, pa gardh dhe pa derë.
Nuk mund të ketë komb pa shtet të konsoliduar dhe pa zbatim ligjesh. –Si mund të ketë shtet, e mos të ketë zbatim ligjesh?! Si mund të ndodhë kjo Teoria e Kaosit dhe armiqt të bëjnë gjithçka dhe shteti të mos ketë pushtet fare, të ndërmerr zbatim ligjesh ndaj tyre?!
Nuk ka shtet pa pushtet. Nuk ka shtëpi pa njerëz e pa zot shtëpie. Qytetarët mandej nuk kanë autorizim të zbatojnë ligjet! Nëse para meje del ndokush dhe nisë e then një statujë të një heroi tonë, a bën një armiqësi në vend publik, unë nuk kam autorizim të intervernojë. Ështu pushteti i shtetit që e ka këtë detyrë në emër të njerëzve të vendit dhe për çka njerëzit e punësuar në pushtet marrin pagat. Nuk ka nevojë të bëhemi atdhetarë orë e çast, në çdo vend e në çdo kohë, sikur kujdestarë të fajshëm thuajase, kur për këtë janë njerëzit me detyrë dhe me autorizim dhe që për këtë marrin pagat!
Tutje kjo Teoria e Kaosit kombinohet me një luftë speciale shkatërruese deri në themel. Kur sulmohet në themel gjithçka, është në gjuhë amtare,shqip, si dhe bëhet nëmes vëllezërve dhe ku e kur përdoren mënyrat më të poshtra për fyerje e turpërim të shqiptarëve nëmes vete! Që në vend publik, me detyrë, dalin armiqt dhe ngrejnë flamujt e vet të robërisë për ne, që mohojnë gjuhën shqipe, që fyejnë gjuhën tonë, kulturën tonë, traditën tonë, identifikimin tonë, dhe këtë e bëjnë shqip kjartë! Nuk ka efekt të bëhet kjo në cilëndo gjuhë tjetër të botës! Kjo bëhet vetëm shqip, që faji të mbetet për fund nëmes nesh dhe që gjaku i njërit a tjetrit njësoj, të bjen mbi ne, kah të sillet.
Kështu është kjo puna me Teorinë e Kaosit total! Që e zbatojnë armiqt tanë të dashur, sepse na bien hise, sepse janë vëllazërit e vëllazërve tanë, jo nga gjaku, por nga besëlidhja me pagesë! Që me paratë dhe dhuratat e armiqve për kohë të gjatë një popull del fare krejt. Që janë kështu këta tanët gjaku ynë që bëhet ujë dhe që humbë.
Janë armiqt tanë të urrejtur e të dashur, nga të katër anët dhe tutje nga anë të ndryshme, që i dijmë, që natë e ditë punojnë kundër neve, përderisa ne rrijmë e prehemi në dëshira koti e kënaqësi çasti. Janë këta, armiqt, që kanë një plan dhe program dhe që punojnë me shumë zell, përderisa ne rrijmë e urrehemi nëmes vete dhe denoncohemi pa fund. Armiqt edhe investojnë për ne, që ne të rrijmë e ata të punojnë! Mandej që ne të zihemi nëmes vete, të urrehemi e të leqitemi shumë e më shumë, -që ata, armiqt tanë, të punojnë pa pnegesë.
Janë kështu armiqt tanë, që kanë kërkesa shumë ndaj nesh, -që të moderohemi e të pranojmë ligjet e reja dhe moderimet e këndshme që duhet ti bëjmë, për tu bashkuar me të tjerët, siç e lypë koha.
Janë këta armiqt tanë që duhet ti marrim për miq, sepse na e duan të mirën! Që punojnë për ne derisa ne rrijmë! Që kërkojnë ta lëmë të kaluarën e ti kthehemi të ardhmës, të shëndoshë e të drejtë, siç thonë ata. Që kërkojnë të hiqet gjuha shqipe, të hiqen vlerat që na identifikojnë dhe të mohohen miqt tanë!
Nëse del ndokush dhe mbron një vlerë, janë kujdestarët nga armiqt që i hyjnë përfundi në portalet e mediat me komente ndër më të ndytat dhe që për këtë i fyeri nuk ka mbrojtje me ligj, -që i takon. Ligji duhet të veprojë dhe të zbatohet, që të jetë ligj dhe që të ketë shtet. Duke fyer e poshtëruar njerëzit tanë kështu në publik, në gjuhën shqipe, pandërprerë , tani kemi kështu një k a o s të plotë në mesin tonë, e që e solli dhe e kultivoi armiku, në heshtje, pa pengesë nga askush dhe me sukses të plotë!
Të dalim vetë e të drejtohemi me armiqt? Ti luftojmë? Tu hakmerremi sëpaku? –Jo! Nuk ka efekt! Për çdo mbrojtje, e pësojmë nga vetë ligjet tona dhe nga pushteti. Kështu është puna dhe këtë armiqt e njohën shumë mirë dhe për këtë erdhën këtu dhe iu përveshën punës! Që e keqja të jetë edhe më e madhe, këta armiq janë tejet të fshehur, -e për më tepër flasin shqip si ne, pa asnjë dallm! Janë shqiptarë fundifundit dhe nuk ke si e dëshmon me kusht armiqësinë.
Ka që flasin edhe serbisht e greqisht, a një gjuhë tjetër të miqve të armiqve tanë, por armiqt tanë më të fuqishëm janë këta që flasin shqip dhe që nuk dallojnë me asgjë nga ne! Teoria e Kaosit kështu zbatohet me sukses të plotë.
Lufta brenda llojit!
L u f t a b r e n d a l l o j i t është lufta shfarosëse në jetë të njerëzve, por edhe të të çdo gjallese. Kur nisë lufta brenda llojit, lloji nuk ka kurrfarë mundësie shpëtimi. Asgjë nuk e zhdukë një lloj gjallesash sado që mund ta dëmtojë, por lufta përbrenda, nëmes llojit, është e sukseshme, me shfarosje të garantuar…Këtë lloj lufte na e instaluan pas luftës neve dhe tani më kemi bërë një kohë të mirë në luftë nëmes vete. Për më tepër, lufta që ishte, ishte pakgjë, çfarë është kjo lufta pas luftës, përbrenda llojit. Kjo është luftë që do të na “vjen hakesh”, nëse nuk i kundërvihemi shpejt e më shpejt.
Identiteti!
Jetojmë në një kohë të integrimit global dhe të unjisimit të kulturave në gjithë botën në një subkulturë për të gjithë, -dhe kjo është e dukshme. Duhet të dijmë dhe të kemi ndjesi dhe masë me të gjithë, siç duhet dhe siç ka nevojë. Të gjithë që janë miq duhet ti nderojmë dhe pranojmë njerëzisht. Kultura është përfundimi i gjithë mësimit.
E sotmja nuk mund të krahasohet me të kaluarën dhe ngjarjet nga tani nuk mund ti gjykojmë për atëherë kur ndodhën. Tani armiqt që ishin mund të integrohen në kulturën globale dhe koha e re kërkon një diplomaci sjelljeje me takt dhe masë. Këtë e dijmë dhe e kemi mësuar veç kahmot, por duhet ta zbatojmë sepse është në të mirën tonë. Ishim çka ishim, tani duhet të kemi marëdhënie të mira me të gjithë e të përfillim nevojat e intereset që kemi tani.
Identiteti që kemi është në shenjat e gjithkohshme që patëm dhe e kaluara nuk mund të të rishkruhet sepse po i duhet dikujtë këtu prej nesh, apo dikujtë nga bota. Nëse kemi qenë në armiqësi, tani duhet të sillemi si miq edhe me ata që na mbajtën në robëri, sepse edhe ata po ndërrohen e po afrohen. Kjo duhet të respektohet dhe të jetë mësim për gjithçka. Lehtë është të shkohet drejt, me thjeshtësi e njerëzi, me secilin që don njerëzi e marëdhënie të mira.
Çdogjë por që shlyen identitetin tonë nuk duhet të lejohet të kalojë, sepse nuk kemi të drejtë që për këtë ne vetë të lejojmë. Ata që bëjnë argat për të huajtë që janë armiq dhe që përpiqen në këtë, le të marrin dhuratat për sa tu shkojë, pasi nuk kemi ende pushtet që kërkon përgjegjësi, -por do të vij një ditë kur përgjegjësia do të kthehet dhe ligji do të nisë të zbatohet, pikë për pikë! Veprat që bëhen ndërkohë përgjithmonë mbeten dhe nuk ka mundësi të fshihen a të shlyhen. Secili duhet të mendojë për të ardhmën. Çdo shtëpie i del zot, një zot shtëpie, herdo -kurdo! /2L ONLINE/