Poroshtica: Bashkohuni me ne që Gjilani jo vetëm të zhbllokohet, por të ndërtohet me një ritëm krejt tjetër, dinamik!
“Gjilani i të gjithëve, ka nevojë për një ndryshim të thellë, i drejtuar nga një profesionist, e jo politikan, nga fryma e angazhimit të vërtetë dhe puna e palodhur. Si dikush që ka kaluar nga një fëmijëri e vështirë, duke punuar dhe luftuar për çdo mundësi, e kuptoj fuqinë që ka puna dhe përkushtimi për të sjellë zhvillim të begatshëm për Gjilanin’, thotë Ilir Poroshtica, i cili në zgjedhjet e tetorit, do të jetë kandidat i i Partisë GUXO, për Kryetar të Komunës së Gjilanit.
Ai theksoi se pavarësisht dallimeve partiake, të gjithë e kanë një konstatim se Gjilani ka mbetur keq dhe në anën tjetër, e dimë të gjithë se, Gjilani si kryeqendër e Anamoravës, me vazhdimësi territoriale me Luginën e Preshevës e Kumanovës, në trekëndëshin kufitar, ka gjithçka që i nevojitet për të qenë një shembull i suksesit të vërtetë. Por, kjo thotë Poroshtica, kërkon udhëheqje të bazuar në vlera e parime të forta, të cilat ai i ka zbatuar gjithmonë në jetën e tij.
“Kam kaluar nëpër sfida të rënda jetësore si shumëkush prej jush dhe kam mësuar se ndryshimi vjen nga angazhimi i sinqertë personal, krijimi i një ekipi profesionistësh dhe vizioni i qartë për të ardhmen. E kam kuptuar se komuna është më shumë se një kolektiv a komunitet, është një shpirt që meriton të udhëhiqet me përgjegjësi, me dinjitet dhe, mbi të gjitha, me guximin për të realizuar ëndrrat”, ka thënë tutje Ilir Poroshtica.
Sipas tij, Gjilani ka nevojë për një udhëheqës që jo vetëm të shohë mundësitë, por edhe të krijojë mundësi, të mbështetur në një përkushtim të pathyeshëm dhe me një filozofi të punës, e jo oratori për të folur rrjedhshëm. Projekte, e jo fjalë.
“Unë jam gati për këtë angazhim. Pres përkrahjen e të gjithë të rinjve e të rejave, djemve, burrave, vajzave e grave, bujqve, blegtorëve, aktivistëve të mjedisit, prindërve, studentëve, mësimdhënësve, profesorëve, shërbyesve civilë, punëtorëve të sektorit publik e privat, aktivistëve të shoqërisë civile, pronarëve të mikro-ndërmarrjeve, ndërmarrjeve të vogla, të mesme e të mëdha, të gjitha kategoritë shoqërore, pa dallim”, ka thënë Ilir Poroshtica, kandidat i i Partisë GUXO, për kryetar të Komunës së Gjilanit.
Ai tha se zotohet para qytetarëve se do të jep gjithçka për Gjilanin.
“Bashkohuni në këtë nismë që Gjilani jo vetëm do të zhbllokohet, por të ndërtohet me një ritëm krejt tjetër, dinamik. Çdo projekt i nisur, do të zhvillohet dhe përfundohet, me kohë, cilësi, qëndrueshmëri dhe sipas planit. Ne do të qeverisim krejt ndryshe”, thotë Ilir Poroshtica, kandidat për Kryetar të Komunës së Gjilanit, në zgjedhjet që pritet të mbahen më 12 tetor. /2LONLINE/
