“Populli nuk ha bar”

(2LONLINE) – Me një matematikë të thjeshtë, deri më tani janë premtuar më shumë se pesë miliard euro investime dhe mbi 300 mijë vende të reja pune nga subjektet pjesëmarrëse në fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Shuma e premtimeve në fushatë, është marramendëse.

Larg realizmit në Kosovë, tubim më tubim, shesh më shesh, derë me derë, politikanët ua kanë mësyrë votuesve duke i mbushur me një eufori të pashoqë. Imagjinata e tyre këtë herë s’ka kufi. Vetëm premtimet e kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit për 11 komuna kapin shumën prej 845 milionë euro. Me këtë trend të premtimeve deri në përfundim të fushatës ai do të shterë buxhetin prej 1.5 miliardë euro që ka Kosova.

Të dhënat zyrtare të qeverisë, në krye të së cilës është ai vetë, tregojnë shifra të tjera të cilat dëshmojnë se kryeministri është duke manipuluar me votuesit potencialë. LDK-ja e Isa Mustafës ka premtuar investime të mëdha në fusha të ndryshme, duke e ripërsëritur gjithashtu edhe premtimin për një Prishtinë ‘’metropolitane’’ .

Vetëvendosja e Albin Kurtit ka premtuar qeverisje pa korrupsion. Ramush Haradinaj dhe partia e tij deri tani kanë premtuar qindra- mijëra vende të reja punësimi. Kurse Behxhet Pacolli deri më tani ka premtuar mijëra vende të reja të punës, hapjen e dhjetëra fabrikave dhe investime qindra miliona euro. Po të marrësh parasysh të gjitha premtimet që japin, gjithandej Kosovës, liderët e partive më të mëdha në vend dhe kandidatët për komuna, të krijohet përshtypja se Kosova do të bëhet vendi më i mirë për të jetuar në Evropë.

Por, premtimet për investime qindra milionëshe, mbesin vetëm premtime elektorale dhe si të tilla këto premtime janë të pabazuara në realitet. Partitë të cilat garojnë në këto zgjedhje nuk kanë as programe dhe as potencial që t’i realizojnë këto investime qindra milionëshe, kur kihen parasysh investimet e pakta që kanë ndodhur këto katër vitet e fundit.

Nëse këto premtime i krahasojmë me investimet që kanë ndodhur këto katër vitet e fundit, do të shihet se këto premtime janë vetëm të ekzagjeruara. Pastaj, ekzagjerimi i premtimeve gjatë fushatës elektorale i rrit pyetjet e zgjedhësve dhe kur fillon qeverisja atëherë ato pritje janë të mëdha, dhe këto pritje dështojnë të përmbushën nga pushtetarët, atëherë vjen zhgënjimi në shumë aspekte.

Të gjithë aktorët politikë, të përfshirë në fushatën elektorale, duhet të jenë më të matur në dhënien e premtimeve të tyre. Premtimet për investime për më shumë se 100 milion euro për çdo komunë, shihet qartë se janë të ekzagjeruara. Vetëm në dhjetë komuna po të investohen nga 100 milion euro shihet se kjo është vetëm shkaku i fushatës dhe jo diçka konkrete.

Bazuar në linjat zyrtare buxhetore, i gjithë buxheti për investimet kapitale për të gjitha komunat e Kosovës është 126 milionë euro. Me një buxhet pak më shumë se një miliard e pesë qind milionë euro, duket e paimagjinueshme se shumat marramendëse të premtuara nga politikanët të investohen nëpër komuna, do të realizohen.

Projeksionet buxhetore nuk e kapërdijnë dot një parashikim të tillë. Fushata po bëhet virtuale nga dita në ditë dhe tanimë asgjë s’na habit. Kjo fushatë lirisht mund të cilësohet si fantastike ose fantastiko-shkencore .

Një fjalë e urtë popullore thotë ‘’Populli nuk ha bar’’./2lonline/

/Faik KRASNIQI/

(Autori është publicist dhe redaktor në gazetën e përditshme ‘’Lajm’’)

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE