Lëvizja Vetëvendosje vazhdoi sot me trajtimin kritik të programit të qeverisë, duke u përqendruar në politikat fiskale dhe ato tregtare të propozuara përmes këtij programi. Siç e kemi thënë edhe në paraqitjet tjera publike program është i përgjithësuar dhe i mjegullt. Nga ai nuk të krijohet fare përshtypja se ka pasur një analizë të theksuar të masave të propozuara dhe ndikimit që do ta kenë ato, e veçanërisht të synimeve që do t’i ketë ky program – pra çfarë ndikimi do ta kenë masat e caktuara të propozuara në të.
Deputeti Besnik Bislimi tha se Qeveria përmes këtij programi zotohet se do të forcojë vizionin për Kosovën si shtet i pavarur dhe demokratik, që le të kuptohet se për momentin ata nuk besojnë as që Kosova është shtet i pavarur, e as demokratik, por e kanë si vizion një gjë të tilla. “Qeveria po ashtu në preambulë zotohet që për 6 muaj ta përpilojë strategjinë kombëtare të zhvillimit për një periudhë pesëvjeçare, e cila jo vetëm që është dy vjet më e gjatë se programi qeverisës, por tregon se pjesa e kabinetit qeveritar që vije nga PDK-ja ka votuar pa e lexuar fare dokumentin e prezantuar. Kjo meqë hartuesi pretendon të na e dorëzojë historikisht për herë të parë një strategji kombëtare të zhvillimit. E ministrat e PDK-së me votimin e tyre publikisht e pranojnë se në dy mandate kanë qeverisur pa strategji, dhe se dokumenti i Banskos që është shitur për strategji, nuk paska qenë i tillë”, tha Bislimi. Fjala prioritet përmendet plot 60 herë në program, e klasifikuar kjo në prioritete themelore, të veçanta, të larta, kryesore, të vazhdueshme, të rëndësishme, shtetërore, afatshkurtra, kyçe, parësore, dhe thjeshtë “një ndër prioritetet”. E njëjta vlen edhe për objektivat, që përmenden mbi 15 herë, dhe klasifikohen ngjashëm si prioritetet.
“Qeveria beson fuqishëm se sistemi i përshtatshëm tatimor është shumë me rëndësi për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit privat të vendit. Prej kësaj pastaj përmirësimi i vazhdueshëm i sistemit tatimor del si prioritet themelor i qeverise, dhe pastaj përfundohet me konstatimin se kjo krahas ndihmesës në zhvillimin ekonomik, ndihmon edhe agjendën e kohezionit social dhe ruajtjen e përparësisë krahasuese të mjedisit biznesor. Dikush qw i kupton sadopak termat sistem tatimor, agjendë të kohezionit social dhe përparësitë krahasuese, me siguri se nuk do mund të formulonte një fjali të tillë të pakuptimtë”, u shpreh Bislimi. Ai shtoi se Qeveria thotë që duke mbajtur normat e ulëta tatimore do t’i rritë të hyrat tatimore, bazuar në hipotezën e lakores së Lafferit, hipotezë kjo që iu referohet vendeve me norma tejet të larta tatimore. “As vetë Qeveria nuk i beson kësaj, meqë që në fillim të qeverisjes kemi rritje të normës së TVSH-së nga 16% në 18%, rritje të akcizës nga 32 euro në 35 euro për 1000 copë”, tha ndër të tjera Bislimi.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, theksoi se ky program qeveritar nuk ka kronologji se cila politikë kur do të zbatohet, për ta pasur kështu të mundur ta kuptojmë koherencën e masave të propozuara, dhe po ashtu nuk ka as metodologji se si do të zbatohen ato politika dhe nga kush. “Te politikat tregtare qeveria zotohet se do të vazhdojë me hapjen e tregut, jo vetëm atë të brendshëm, por veçanërisht në tregtinë me jashtë. Lehtësimi i tregtisë me vendet e rajonit listohet si një prej prioriteteve. Në këtë pikë nuk ka asnjë fjali të vetme për ndikimin që do ta ketë në prodhimin vendor një hapje e tillë e shpejtë e tregut. Për të qenë korrekt kjo nuk është asgjë e re. Edhe deri tash Kosova ka pasur tregti të hapur me vendet e rajonit të përfshira në marrëveshjen CEFTA. Rezultati i vetëm i kësaj marrëveshjeje ka qene rritja e vazhdueshme e importeve sidomos nga Serbia e Maqedonia dhe, si rrjedhojë, rritja e vazhdueshme e deficitit tregtar të Kosovës”, potencoi Ymeri.
Në program nuk ka fare analizë të ndikimit ekonomik që do ta ketë marrëveshja e tregtisë së lirë me Turqinë, e firmosur nga ish-ministrja e tregtisë Mimoza Kusari – Lila, dhe nëse kjo marrëveshje do të ratifikohet në Kuvendin e Republikës. Edhe më me rëndësi nuk përmendet fare efekti që MSA do ta ketë në prodhimin vendor. “Sipas studimeve të bëra nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe konsulenteve nga Komisioni Evropian – efekti kryesor tregtar i MSA-së do të jetë rritja e importit nga BE-ja për 7%. Ndërsa eksporti i produkteve kosovare në BE nuk thuhet nëse do të ndryshojë”, tha Ymeri, duke shtuar se Kosova duhet domosdoshmërish ta trajtojë tregtinë me jashtë në funksion të rritjes së kapaciteteve prodhuese/industriale të brendshme. “Me një naivitet të tmerrshëm dhe të trishtë njëkohësisht, qeveria e Kosovës beson se rikthimi i industrisë së rëndë në Mitrovicë, apo i industrisë së lehtë në Gjakovë, do të bëhet duke funksionalizuar zonat e tregtisë së lirë. E vetmja risi në këtë program që lidhet me zhvillimin dhe investimet është Fondi i propozuar për Investim dhe Punësim. Edhe pse në vete ky është një mekanizëm jashtëzakonisht i nevojshëm për ekonominë e vendit, nga programi qeverisës nuk kuptohet fare se nga do të financohet ky fond, me sa para pritet të fillohet, kur do të fillojë së funksionuari, përfitimet nga ai për ndërmarrjet a do të jenë në formë grantesh, kredish të buta, subvencionesh, apo të ngjashme”, tha në fund Ymeri.