DYLON

Politika e humb kuptimin në çastin kur njeriu heq dorë nga dinjiteti për t’iu përshtatur vullnetit të strukturave udhëheqëse

Politika e humb kuptimin në çastin kur njeriu heq dorë nga dinjiteti për t’iu përshtatur vullnetit të strukturave udhëheqëse
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Ardian Azemi

Politika e humb kuptimin në çastin kur njeriu heq dorë nga dinjiteti për t’iu përshtatur vullnetit të strukturave udhëheqëse. Aty nuk bëhet fjalë më për përfaqësim por kryekëput për nënshtrim. As për mendim por për bindje të verbër. As nuk bëhet fjalë për karakter por “rrast” për servilizëm.

EkoHigjiena

Për vite me radhë, aktivizmi im politik ka qenë i udhëhequr nga një parim i vetëm: interesi i qytetarëve mbi çdo interes tjetër.

Pikërisht për këtë arsye nuk kam hezituar të jem kritik, edhe ndaj partisë së cilës i kam takuar (AAK), sa herë kam besuar se po devijohej nga parimet ose po merreshin vendime të gabuara. Kritika e sinqertë nuk është tradhti. Tradhti është heshtja përballë gabimit.

Partitë politike nuk forcohen duke kultivuar njerëz që dinë vetëm të thonë “po”. Ato nuk zhvillohen duke e shpërblyer servilizmin dhe duke e ndëshkuar mendimin e lirë. Një parti që i frikësohet kritikës, në të vërtetë i frikësohet së vërtetës. E kur e vërteta përjashtohet, degradimi bëhet i pashmangshëm.

As shteti nuk ndërtohet me njerëz të nënshtruar, me oportunistë e profiterë që e matin çdo qëndrim me interesin personal. Shteti ndërtohet nga njerëz me integritet, me dije, me karakter të fortë, që nuk shantazhohen, nuk frikësohen, nuk e shesin ndërgjegjen për një post dhe nuk kanë ndërtuar kurrë karrierë mbi kurrizin e të tjerëve.

Në fund, nuk fitojnë ata që përkulen më shumë. Historia nuk i kujton servilët. Historia i kujton ata që patën guximin të qëndronin drejt edhe atëherë kur ishte më e vështira.

Prandaj, nuk është aspak e çuditshme pse shumë parti opozitare nuk po zhvillohen e nuk po fuqizohen. Kur vlerësohet bindja dhe jo karakteri, kur promovohet nënshtrimi dhe jo meritokracia, rezultati nuk mund të jetë ndryshe.

Madje, nuk do të befasohem aspak nëse nesër dalin edhe më keq se sot. Asnjë parti nuk rrënohet nga kritikët e saj. Partitë rrënohen nga ata që, për interesa personale, e mbytin të vërtetën, e largojnë mendimin e lirë dhe e zëvendësojnë dinjitetin me servilizëm.  /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.