/2L ONLINE/ – Në fund të muajit shtator kishte ndodhë një vjedhje në Shillovë të Gjilanit. Policia nuk ka ndejtur duarkryq por që nga ajo kohë ka punuar n rastin dhe se tani u ka rënë në gjurmë hajnave, dy prej të cilëve janë arrestuar derisa policia po i kërkon edhe tre të tjerë, pasi dyshohet se ata kishin vepruar në grup.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan, duke rikujtuar rastin tha se vjedhja kishte ndodhë në fshatin Shillovë, e banuar me shqiptarë, ku në shtëpinë e ankueses ishin vjedhur: Një Laptop HP, një Celular Iphone 5, para kesh 1920 euro, stoli ari, dhe një armë e zjarrit e llojit “Pomparicë” cal.12 mm.
Besohet se dy të dyshimtit shqiptar shtetas të Kosovës janë futur në shtëpinë e viktimës, duke depërtuar me forcë, ku edhe e kanë kryer këtë rast që policia e ka klasifikuar si “ Vjedhje e Rëndë”.
“Policia e Kosovës, njësitet e hetimeve të stacionit policor të Gjilanit përmes rrugëve operative u ka rënë në gjurmë dhe i ka lokalizuar fillimisht të dy të dyshimtit, dhe më pastaj që të dy janë arrestuar nga ana e Policisë. Te të dyshuarit janë gjetur prova të qëndrueshme se ata përveç këtij rasti besohet të jenë të involvuar edhe disa raste “Vjedhje të Rënda” në komunën e Gjilanit nëpër lagje të ndryshme. Ata janë intervistuar në prezencën e mbrojtësve të tyre”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Ai ka bërë të ditur se me urdhër te prokurorit të shtetit të dyshuarve F. Z. (1988) dhe R. J. (1994) U caktohet masa e ndalimit në qendrën e mbajtjes për 48 orë.
“Dy të dyshuarit e lartë cekur kishin vepruar në grup për përfitime materiale për vete dhe për të tjerët, me ç’rast edhe tre të dyshuar të tjerë të njohur për Policinë e Kosovës janë në kërkim e sipër, ku njeri nga ta është banor jo rezident i Komunës së Gjilanit”, ka thënë toger Hashani, për të shtuar se rastet e kompletuara do të dërgohen në Gjykatë. /2L ONLINE/