Policia e Kosovës ka njoftuar se deri në orët e vona numri i të arrestuarve pas protestës së sotme ka arritur në 34 persona.
Në vijim, policia ka bërë një kronologji të ngjarjeve të sotme:
Fillimisht rreth orës 14:00 protestuesit janë tubuar tek Biblioteka Kombëtare në Prishtinë, për të vazhduar më pastaj në drejtim të sheshit tek Teatri Kombëtar, ku për lëvizjen e lirë të protestuesve dhe qytetarëve, duke përfshirë edhe ri-drejtimin e trafikut janë kujdesur njësitet relevante policore.
Rreth orës 14:45 kanë filluar fjalimet e liderëve politik të opozitës të cilët ju kanë drejtuar masës me fjalimet e tyre.
Ndërsa pak para orës 15:00, përderisa lideri i VV-se mbante fjalim, një grup i protestuesve të dhunshëm kanë filluar të hedhin mjete të ndryshme, fishekzjarrë, gurë masiv dhe koktej molotovi drejt zyrtarëve policor dhe drejt objekteve shtetërore, në këtë rast drejt objektit të Qeverisë së RKS-së.
Vlen të potencohet se Policia e Kosovës me qëllim të mos eskalimit të situatës edhe përkundër gjuajtjeve të pandërprera, ka qëndruar në formë kordoni duke vëzhguar situatën dhe duke ju bërë thirrje protestuesve që të ndalojnë hedhjen e mjeteve të ndryshme drejt zyrtarëve policor, por edhe drejt objekteve shtetërore.
Protestuesit e dhunshëm kanë vazhduar pa ndërprerë me hedhjen e mjeteve të ndryshme dhe të rrezikshme drejt policisë dhe objektit të qeverisë, duke i dëmtuar disa xhama dhe duke i venë zjarrin me koktej molotovi një pjese të objektit të Qeverisë.
Policia e Kosovës referuar situatës së krijuar dhe me qëllim të vënies së situatës nën kontroll, është detyruar të intervenojë me njësitet e saja relevante, të cilat kanë përdorur mjetet e ligjshme, duke përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës.
Protestuesit edhe gjatë shpërndarjes së tyre kanë vazhduar pa ndërprerë hedhjen me ngjyrë, gurë masiv, koktej molotovi drejt policisë dhe automjeteve policore duke i vënë zjarrin në pjesën e përparme dy (2) automjeteve të PK-se, të cilat është arrit t’iu shuhet zjarri nga vet zyrtarët policor me mjetet për shuarjen e zjarrit.
Po ashtu edhe një zyrtarit policor i është hedhur në trup një koktej molotovi, por fatmirësisht përveç lëndimeve të pësuara gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë.
Njëkohësisht protestuesit kanë dëmtuar edhe shenja të komunikacionit rrugor, dhe kontejner të mbeturinave të cilëve ju kanë vënë zjarrin, dëmet në tërësi në automjete policore, pajisje policore dhe prona publike vlerësohen të jenë të konsiderueshme.
Përdorimi i mjeteve të rrezikshme nga një grup protestuesish, si ai i koktej molotovit i cili konsiderohet mjet i rrezikshëm vdekjeprurës drejt zyrtarëve policor, është akt kriminal dhe i kundërligjshëm.
Si pasojë e hedhjes së mjeteve të forta dhe mjeteve të rrezikshme nga protestuesit, kanë pësuar lëndime zyrtar policor njëzet e katër (24) zyrtar policor, katër (4) qytetar prej tyre edhe gazetar.
Ndërsa Policia e Kosovës ka arritur të arrestoj tridhjetë e katër (34) protestues të dhunshëm, tek të cilët janë gjetur mjete të dyshuara, si thika, koktej molotovi e gjëra që ju kanë shërbyer për kamuflim.
Numri i protestuesve vlerësohet të ketë qenë afërsisht rreth tetë mijë (8.000) pjesëmarrës.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe vënies së situatës nën kontrolle.
http://www.rtklive.com/?id=2&r=54710