DYLON

Policia tregon kompetencat e saja në zbatimin e legjislacionit për kundërvajtje dhe trafikun rrugor

Policia tregon kompetencat e saja në zbatimin e legjislacionit për kundërvajtje dhe trafikun rrugor
Avatar photo Redaksia

Policia e Kosovës me qëllim të informimit të saktë dhe të plotë të opinionit publik, si dhe në përgjigje të shkrimeve të fundit në media lidhur me kompetencat e Policisë së Kosovës për zbatimin e Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor informon dhe njëherit sqaron si në vijim:

Policia e Kosovës rithekson se ushtrimi autoritetit dhe i kompetencave për inicimin dhe zhvillimin e procedurave kundërvajtëse, si dhe për shqiptimin e sanksioneve për kundërvajtje, është i bazuar plotësisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në legjislacionin përkatës në fuqi. Çdo pretendim që vë në dyshim këtë kompetencë është i pabazuar dhe në kundërshtim me rendin juridik në Republikën e Kosovës.

EkoHigjiena

Më 5 gusht 2016, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Ligjin Nr. 05/L-087 për Kundërvajtje, i cili ka hyrë në fuqi në janar të vitit 2017, në përputhje me nenin 171 të tij. Ky ligj përcakton në mënyrë të qartë kompetencat e organeve administrative, përfshirë Policinë e Kosovës, për trajtimin dhe vendimmarrjen në çështjet e kundërvajtjeve.

Më 10 shkurt 2017, Institucioni i Avokatit të Popullit ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e përputhshmërisë kushtetuese të disa dispozitave të këtij ligji, konkretisht neneve 55 paragrafët 4 dhe 5 deri në nenin 68, të cilat lidhen me kompetencat e organeve administrative në procedurat kundërvajtëse.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, me aktgjykimin KO12/17 të datës 9 maj 2017, ka konstatuar se këto dispozita (neni 55 paragrafët 4 dhe 5 deri në nenin 68) janë në përputhje të plotë me nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që garanton të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si dhe me nenin 6 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut.

Në thelb, ky vendim konfirmon se delegimi i kompetencave për shqyrtimin dhe vendosjen në rastet e kundërvajtjeve tek organet administrative, përfshirë Policinë e Kosovës, është kushtetues dhe në përputhje me standardet e drejtësisë. Gjykata gjithashtu ka vlerësuar se ky organizim kontribuon në një administrim më efikas të rasteve, veçanërisht në fushën e trafikut rrugor, ku numri i kundërvajtjeve është i lartë dhe kërkon trajtim të shpejtë dhe efektiv.

Po ashtu, është theksuar se të drejtat e qytetarëve mbeten plotësisht të garantuara, pasi çdo person që i nënshtrohet një mase kundërvajtëse apo pranon gjobë nga Policia e Kosovës ka të drejtë ligjore ta kundërshtojë atë në Gjykatën Themelore, përkatësisht në Departamentin për Çështje Administrative. Kjo gjykatë ka juridiksion të plotë për të shqyrtuar ligjshmërinë e vendimit dhe për ta ndryshuar ose anuluar atë në rast të konstatimit të shkeljeve ligjore apo vlerësimit të pasaktë të fakteve.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, përfshirë garantimin e sigurisë në trafikun rrugor. Të gjitha veprimet tona bazohen në ligj, respektojnë parimet kushtetuese dhe sigurojnë mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve, përfshirë të drejtën për ankesë dhe shqyrtim të pavarur gjyqësor, thuhet ne njoftimi ne policise. /2LONLINE/