Policia shton kontrollet në trafik: Mbi 160 motoçikleta të konfiskuara brenda një muaji
Njësitet policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan kanë intensifikuar kontrollet në trafik, duke u fokusuar veçanërisht te drejtuesit e motoçikletave, skuterëve dhe trotineteve, me synim rritjen e sigurisë rrugore në gjithë rajonin.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës nga 1 prilli deri më 30 prill 2026, policia ka shqiptuar një numër të konsiderueshëm gjobash dhe masash ndëshkuese ndaj shkelësve të rregullave të trafikut.
Vetëm për drejtim të këtyre mjeteve pa patentë shoferi janë shqiptuar 95 gjoba, ndërsa 149 gjoba janë vendosur për mjete të paregjistruara. Një shqetësim i veçantë mbetet edhe mosmbajtja e helmetës, ku janë evidentuar 65 raste të tilla.
Po ashtu, policia ka ndërmarrë masa më të ashpra ndaj shkelësve, duke përjashtuar nga trafiku (konfiskuar) gjithsej 161 motoçikleta. Ndërkohë, 75 gjoba janë shqiptuar për drejtuesit e trotineteve, si dhe 113 masa të tjera ndëshkuese për shkelje të ndryshme, në përputhje me ligjin për rregullat në trafikun rrugor.
Autoritetet policore theksojnë se drejtimi i motoçikletave dhe mjeteve të ngjashme me dokumentacion të rregullt dhe në përputhje me normat ligjore është jetik për sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në trafik.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në rrugë, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës. /2LONLINE/
