/2L ONLINE/ – Njësite të shumta të Policisë së Kosovës nga stacioni i Gjilanit janë hedhur sërish në aksion në lokalet e natës në Gjilan. Ndalesat e para kanë qenë në lokalet që gjenden tek rruga për në tregun e gjelbert, ku Policia ka hasur në zë të lartë të muzikës deri në orët e vona në mesnatë.
Nënkolonel, Shaban Azizi, ka theksuar se për shkak të ankesave të qytetarëve për këtë dukuri, në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit gjegjsisht inspektorët e Komunës është dashur që të merret vendim për kufizim të orarit të punës për kafiteri ose lokale të natës, që i bie se deri në orën 23:00 këto lokale sipas rregullores në fuqi kanë të drejtë të ushtrojnë veprimtarinë e tyre me zë të lartë të muzikës, në të kundërtën Policia po intervenon aty ku nuk respektohet ky orar.
”Në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit është marrë vendimi që të gjitha lokalet e natës të ushtrojnë veprimtarinë e tyre me zë të lartë të muzikës deri në orën 23:00 dhe nëse ky orar nuk respektohet atëherë Policia është e detyruar të ndërhyjë” është shprehur nënkolonel Azizi.
Nënkolonel Azizi, ka pohuar se pronarët e lokaleve sigurisht që nuk e kanë mirëpritur kufizimin e orarit të punës për shkak të biznesit që ushtrojnë, mirëpo në anën tjetër sipas tij, në këtë drejtim duhet të merren parasysh ankesat e qytetarëve.
“Po atyre sigurisht që nuk ju konvenon kufizimi i orarit të punës për shkak të veprimtarisë që ata tash e disa vite po e ushtrojnë mirëpo duhet të kihen parasysh ankesat e qytetarëve”, është shprehur Azizi.
Azizi tutje tha se pushimet e verës për Policët rajonal janë kufizuar për këtë vit, për siç tha, shtimit të njësive patrulluese në Gjilan, sidomos në orët e mbrëmjeve për shkak të zhurmave dhe problemeve që po shkaktohen në lokalet e ndryshme në Komunën e Gjilanit.
/ Edona JERLIU / 2L ONLINE/