DYLON

Policia serbe goditi lojtarët në tunel

Avatar photo Redaksia

Futbollistët e Kombëtares shqiptare më shumë se në fushë u terrorizuan në tunelin që të çonte në dhomat e zhveshjes. Këtë e konfirmoi Denis Bastari dhe Andi Bushati.

Policia serbe ka goditur lojtarët shqiptarë gjatë futjes së tyre në tunel. Nuk kanë mjaftuar kërcënimet nga tifozët serbë, por partizan të goditjeve janë bërë dhe nga policët serbë dhe rojet private (stjuartët). Një gjë e tillë u bë mbrëmë publike nga shefi i sektorit të Jashtëm në Federatën Shqiptare të Futbollit, Denis Bastari.

EkoHigjiena

Në një prononcim për kanalin Super Sport 2, Bastari tha:

“Është e vërtetë që policia ka goditur lojtarët në tunel. Isha ulur pikërisht me Lorik Canën në ato momente dhe të vetmet goditje që ai ka marrë, ishin nga stjuartët e stadiumit. Kur janë futur në tunel ka qenë një rrëmujë e madhe, janë goditur lojtarët me shkelma nga ana e punonjësve të policisë apo dhe të stujartëve që ndodheshin aty”.

Bastari më tej bën të ditur se policia serbe ka kontrolluar të gjithë çantat e delegacionit, pasi dyshohej se ndodhej aty pulti i telekomandës që bëri të fluturonte flamuri.

Bushati: Lojtarët e kombëtares u sulmuan nga policia

“Disa orë më vonë, tek qëndronim në avion, për të lënë njëherë e mirë tokën beogradase, të njëjtën gjë do të më pranonin edhe shumë nga futbollistët që kishin qenë në fushë. Lenjani kishte akoma pjesë të trupit që i dhimbnin. Debatik Curri e Taulant Xhaka po ashtu. Lorik Cana, kapiteni që ish ulur në fund të avionit, më shumë ishte krenar për grushtat që kish dhënë sesa për goditjet që kishte marë.

Por, të gjithë tregonin se kishin kaluar nëpër një ferr. Jo atë që u pa “live” nëpër ekrane: me karrike që thyheshin në kurriz e me grushta tifozësh që mësynë në fushë. Jo, jo, një tjetër edhe më të rëndë. Kur kishin lënë fushën e lojës, pas agresionit barbar të ultrasve serbë, aty në tunelin që të çonte në dhomat e zhveshjes, i kish pritur një barbari edhe më e madhe. Policë dhe civilë, puntorë të stadiumit dhe badigardë pa uniformë, kishin lëshuar shkelma dhe grushta mbi ta. Shenjat e gjithë kësaj batërdie ishin të dukshme edhe në avionin e kthimit, megjithëse lojtarët shqiptarë, të flisnin me bezdi për to. Ata kërkonin të tregonin pjesën e tyre inteligjente dhe fine.

“Donin të na e punonin,- më tha një moment Ansi Agolli-, por ne u treguam më të zgjuar. Kur lojtarët tanë ishin në dhomat e zhveshjes, serbët ishin të çmendur me mjetin fluturues që u ngrit mbi stadium, dhe ata do të kenë menduar ndonjë hile. Kanë menduar që për të provokuar të gjithë atë që ndodhi, këtë mjet e kishin ngritur në stadium anëtarët e delegacionit shqiptar. Prandaj, gjë e pa dëgjuar ndonjë herë, ata futën katër pjestarë civilë të shërbimit sekret, për të kontrolluar dhomën tonë. Ndoshta kishin dhe qëllim tjetër- vazhdon Ansi Agolli. Ndoshta donin të na fusnin ndonjë paisje të ngjashme në mjediset tona, për të ngritur pastaj alibinë se i gjithë provokimi ishte projektuar nga ne. Por, -më thotë ai- ne i bllokuam. Si me komandë ndezëm të gjithë smartfonët tanë dhe filluam t’i filmonim. Ata u gjendën të përgjuar dhe nëse kanë patur ndonjë qëllim të keq me prapamendim, nuk arritën ta bënin”. Po, po u treguam më të zgjuar, thotë me të qeshur Bulku, që i ulur fare pranë sediljes së Agollit e ka dëgjuar krejt rrëfimin e tij.”, shkruan Andi Bushati sot.