Policia po e heton rastin e sulmit ndaj një femre në Lipjan

Policia po e heton rastin e sulmit ndaj një femre në Lipjan

Me datën 29/05/2019 rreth orës 17:20, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion se në sheshin ”Adem Jashari” të Lipjanit nga disa të rinj (të mitur) po sulmohet një femër.

Njësiti patrullues menjëherë ka ndërmarrë veprimet policore në terren për të parandaluar rastin e sulmit dhe me të arritur në vendin e ngjarjes ka takuar viktimën e cila dyshohet se ka qenë cak i sulmit nga disa persona të moshës së mitur.

Zyrtarët policorë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin, duke përfshirë identifikimin e viktimës f/rome/kosovare, viti i lindjes (1990) nga Podujeva, e cila nuk komunikonte në gjuhën shqipe.

Policia e Kosovës në lidhje me këtë rast ka kontaktuar prokurorin kujdestar, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti ‘sulm’, për të cilin janë duke vazhduar hetimet intensive, drejt zbardhjes së rastit dhe arrestimit të personit/ave të dyshuar.

Bazuar në hetimet e deritanishme, dyshohet se viktima është sulmuar nga personi/at e dyshuar, pasi që e njëjta (viktima) ka qenë e publikuar dhe e komentuar në forma të ndryshme në rrjetet sociale dhe media, kinse si person i dyshuar për vjedhje apo grabitje të mundshme të fëmijëve.

Lidhur me personin në fjalë Policia e Kosovës e ka bërë publike lajmin edhe dje (29.05.2019), se personi i apostrofuar në media është ndaluar dhe verifikuar disa herë dhe ka sqaruar se e njëjta nuk është e përfshirë në asnjë rast të kësaj natyre, nuk paraqet rrezik për askënd dhe se nuk ka pasur asnjë viktimë të raportimit të ndonjë rasti të tillë ndaj saj.

Andaj, Policia e Kosovës njofton të gjithë qytetarët dhe mediat se është duke e trajtuar këtë rast lidhur me personin në fjalë, për të cilin janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore konform autorizimeve ligjore, me qëllim të parandalimit të incidenteve të tilla dhe krijimit të lirisë së lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët pa dallime.

Reagon KMDLNj

KMDLNj ka reaguar pas sulmit ndaj qytetares rome që sipas tyre pa asnjë arsye dhe pa asnjë faj iu nënshtrua një degradimi dhe linçimi publik me ç’rast, në Lipjan iu rrezikua jeta nga një grup huliganësh që, përveç se e fyenin në baza racore, e gjuanin me gurë duke ia rrezikuar jetën.

Për KMDLNj-në është befasuese dhe shqetësuese pse kalimtarët e rastit, qytetarët e Lipjanit nuk reaguan kundër këtyre sjelljeve huligane duke u bërë kështu pjesë pasive e një linçimi publik në baza raciste.

“Liria e lëvizjes është e garantuar me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe këto liri mund t’i kufizojë vetëm ligji e që në rastin konkret ishte e kundërta; ligji nuk e mori në mbrojtje një qytetare të pafajshme që u rrezikua nga një grup huliganësh”, thuhet në deklaratë.

KMDLNj e dënon ashpër këtë dhunim të drejtave të njeriut, të lirisë së lëvizjes dhe të drejtës për jetë të një qytetareje të pafajshme e cila me asgjë nuk e ka provokuar mllefin dhe dhunën ndaj saj.

KMDLNj kërkon nga organet e hetuesisë që ky rast të trajtohet me urgjencë dhe të gjithë ata që janë përgjegjës të nxirren para organeve të drejtësisë.

Reagon Rrjeti i Grave të Komuniteteve RAE

Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase të Kosovës (RROGRAEK), me anë të një komunikate për media e ka dënuar ashpër sulmin që ndodhi një ditë më parë në Lipjan, ku një grua e komunitetit rom u sulmua nga disa të rinj të këtij qyteti.

“Kjo sjellje brutale ndaj një gruaje, e cila vjen nga komuniteti rom dhe e cila është dyfish e diskriminuar, së pari si grua dhe më pastaj si komunitet pakicë, duhet ta marrë dënimin e merituar dhe të mos mbetet vetëm në suaza të deklaratave”.

“Përderisa Policia e Kosovës ka deklaruar se gruaja e cila ishte riatdhesuar nga Belgjika në Kosovë në vitin 2011 nuk dyshohet për ndonjë aktivitet kriminal, por e cila u sulmua pasi që grupe të ndryshme online kanë alarmuar rrejshëm për rrezikun që pretendohej se ajo paraqiste, nuk duhet të mbetet me kaq. Por se rasti duhet të qartësohet deri në fund dhe akterët e këtij rasti, të cilët ushtruan dhunë ndaj një gruaje rome, të marrin dënimin e merituar”.

“RROGRAEK po ashtu fton institucionet përkatëse që të marrin rastin parasysh dhe të marrin masa disiplinore ndaj sulmuesve, duke e trajtuar rastin deri në fund dhe po ashtu u bën thirrje institucioneve arsimore në Kosovë që të kenë kujdes me fëmijët, tek të cilët të mos ketë nxitje të urrejtjes ndaj qytetarëve të komuniteteve tjera dhe të ketë sulme në baza racore, si në rastin me gruan e komunitetit rom”, thuhet në komunikatën për media, përmes Adelina Qorraj Emini, përfaqësuese e këtij rrjeti

KOMENTE