Policia në Rajonin e Gjilanit shqiptoi 1 mijë e 491 gjoba trafiku brenda një jave
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka bërë të ditur se gjatë periudhës 22-28 maj, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore kanë shqiptuar gjithsej 1491 gjoba trafiku, në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë në komunikacion.
Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe janë hetuar 10 aksidente trafiku me dëme materiale, 11 aksidente me të lënduar dhe një aksident me pasoja fatale.
Po ashtu, policia ka shqiptuar 21 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurisë dhe 32 gjoba për përdorim të telefonit gjatë drejtimit të automjetit. Ndërkohë, ndaj 52 ngasësve është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka apeluar tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që të shmangin përdorimin e telefonit celular dhe pajisjeve të tjera që shpërqendrojnë vëmendjen gjatë vozitjes.
“Përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të automjetit rrit rrezikun e aksidenteve dhe cenon sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion”, thuhet në apelin e policisë.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të kontribuojnë në ruajtjen e jetës dhe sigurisë në rrugë. /2LONLINE/
