Policia në Gjilan shqipton mbi 1900 gjoba brenda një jave, shtohen kontrollet në trafik
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka intensifikuar aktivitetet për rritjen e sigurisë në trafik, duke shqiptuar gjithsej 1,931 gjoba gjatë periudhës 10–16 prill 2026. Këto masa janë ndërmarrë në kuadër të planeve operative që synojnë parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e disiplinës në rrugë.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë kësaj periudhe janë hetuar 12 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 16 aksidente me persona të lënduar. Krahas hetimeve, policia ka ndërmarrë edhe masa ndëshkuese ndaj shkeljeve më të shpeshta në komunikacion.
Në mesin e gjobave të shqiptuara, 33 ishin për mosvendosje të rripit të sigurisë, 29 për përdorim të telefonit gjatë vozitjes dhe 25 për modifikime të palejuara të automjeteve, përfshirë vendosjen e folieve të errëta. Po ashtu, janë shqiptuar 81 gjoba për automjete të paregjistruara, ndërsa ndaj 43 ngasësve është vendosur masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike.
Policia ka bërë të ditur se kontrollet janë shtuar veçanërisht ndaj mjeteve me dy rrota, përfshirë motoçikletat, triçikletat dhe trotinetet. Në kuadër të një task force të krijuar për këtë qëllim, nga 25 marsi deri më 16 prill 2026 janë ndërmarrë një sërë masash konkrete.
Gjatë kësaj periudhe janë konfiskuar 107 motoçikleta, ndërsa janë shqiptuar 212 gjoba për drejtues që nuk posedonin regjistrim, helmetë apo leje përkatëse. Po ashtu, janë konfiskuar edhe 114 trotinetë dhe mjete të tjera të ngjashme me dy rrota.
Autoritetet policore kanë theksuar se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me fokus në të gjitha kategoritë e pjesëmarrësve në trafik. Qëllimi kryesor mbetet rritja e sigurisë rrugore dhe parandalimi i aksidenteve.
Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat e komunikacionit, duke kontribuar kështu në sigurinë e përgjithshme në rrugë. /2LONLINE/
