DYLON
Aktivitete javore në trafikun rrugor

Policia në Gjilan shqipton 1 mijë e 549 gjoba brenda një jave: “Shpejtësia nuk është krenari, por shkak i tragjedisë”

Policia në Gjilan shqipton 1 mijë e 549 gjoba brenda një jave: “Shpejtësia nuk është krenari, por shkak i tragjedisë”
Avatar photo Redaksia
Gjatë javës së kaluar, policia ka hetuar 10 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 14 aksidente me persona të lënduar.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka bërë të ditur se gjatë periudhës 8–14 maj 2026 janë shqiptuar gjithsej 1 mijë e 549 gjoba trafiku, në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë në komunikacion.

Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar aktivitete të shtuara nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore në rajonin e Gjilanit, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe respektimin e rregullave të trafikut.

EkoHigjiena

“Shpejtësia nuk është krenari, por shkak i tragjedisë”, thuhet në apelin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, e cila u ka bërë thirrje ngasësve që të respektojnë rregullat në komunikacion dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes.

Gjatë javës së kaluar, policia ka hetuar 10 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 14 aksidente me persona të lënduar.

Në kuadër të kontrolleve të realizuara në trafik, ndër tjerash, policia ka shqiptuar 11 gjoba ndaj ngasësve që nuk kanë përdorur rripin e sigurisë dhe pesë të tjera për përdorim të telefonit gjatë vozitjes. Gjithashtu, janë shqiptuar 24 gjoba për modifikim të automjeteve me folje të errëta, ndërsa ndaj 42 ngasësve është marrë masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike.

Në fund të komunikatës, policia ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të ulin shpejtësinë, të mos përdorin telefonin gjatë vozitjes, të vendosin rripin e sigurisë dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe semaforët.

“Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët”, theksohet në apelin e policisë. /2LONLINE/