DYLON

Policia në dy raste të ndara konfiskon mallra të kontrabanduara në vlerë të konsiderueshme

Policia në dy raste të ndara konfiskon mallra të kontrabanduara në vlerë të konsiderueshme
Avatar photo Redaksia

Policia e Kosovës, gjegjësisht njësitet e Task Forcës–Lindje, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës në Viti dhe Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë (NjNSh) në Jarinje, në zbatim të masave për parandalimin dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës, kanë intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në terren, të cilat kanë rezultuar me gjetjen e dy automjeteve të ngarkuara me mall të kontrabanduar.

Në rastin e parë, në rajonin e lindjes, me datën 20.11.2023, është vërejtur një automjet i dyshuar pa targa i cili po lëvizte në rrugën Kabash-Smirë-Viti, i cili përkundër urdhrave të zyrtarëve policorë për ndalim ka tentuar që të largohet, ku gjatë ikjes ka shkaktuar aksident trafiku me njërën nga veturat zyrtare të PK-së dhe si përfundim është ndaluar nga zyrtarët policorë.

EkoHigjiena

Të dyshuarit mashkull kosovar me iniciale M. M. gjatë kontrollimit të mjetit që e drejtonte i janë gjetur mallra të ngarkuara në vlerë tregu mbi 25.000 euro, mallra të cilat dyshohet se janë kontrabanduar përmes rrugëve ilegale nga RMV – RKS, e që janë si në vijim:

• poça elektrikë – 7100 copë,

• rrush i terur rreth 300 kg,

• arra të qëruara rreth 1040 kg,

• arra indiane rreth 200 kg,

• tekstil jakne 158 copë,

• çanta krahu për femra 55 copë,

• jelek-mont 25 copë,

• çorape 6 palë dhe

• 1 palë këpucë për femra.

Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kompetent në Gjilan i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa malli dhe automjeti i përfshirë në rast dërgohen në terminalin doganor Dheu i Bardhë.

Po ashtu në të njëjtën datë, nw rajonin e veriut, gjatë një patrullimi nga NjNSh në Jarinje është gjetur një veturë e braktisur në fshatin Jellakce, ku e njëjta po ashtu ishte pa targa, në të cilën ndodheshin mallrat e kontrabanduara (pijet alkoolike dhe të gazuara).

Lidhur me rastin në vendngjarje kanë dalë njësitë përkatëse policore, është bërë tërheqja e mjetit i cili është dërguar në terminalin doganor Mitrovicë, në ndërkohë që janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore, për procedurat e mëtejme hetimore. /2LONLINE/